Lidhje

Projekt-ligji mbi riorganizimin e agjencive të zbulimit pritet të nënshkruhet nga Presidenti Bush - 2004-12-13


Projekt-ligji i cili u miratua javën e kaluar nga Kongresi amerikan dhe që tani duhet të nënshkruhet nga Presidenti Bush bën të mundur riorganizimin e agjencive të zbulimit. Por ai gjithashtu përforcon pushtetin e qeverisë për ndjekjen e terroristëve dhe përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me botën muslimane.

Ky projekt-ligj, i cili synon parandalimin e një sulmi tjetër në tokën amerikane është përqendruar në krijimin e një drejtorie të zbulimit kombëtar dhe të një qendre kundër-terroriste, e cila do të bashkërendiste, mblidhte dhe shkëmbente informacion zbulimi. Por ky projekt-ligj rekomandon gjithashtu shtimin e diplomacisë në botën islame për të luftuar përhapjen e terrorizmit dhe për nxitjen e demokracisë.

Senatori demokrat, Joe Liberman nga shteti Conecticut është bashkë-propozuesi i këtij projekt-ligji. “Në fund të fundit, që të parandalohet përhapja e terrorizmit, duhen iniciativa të reja në politikën e jashtme, në diplomaci, në ekonomi dhe në politikë,” thotë ai. Ky ligj bën thirrje edhe për shtimin e transmetimeve amerikane në botën islame, zgjerimin e programeve të shkëmbimit të studentëve dhe mësuesve midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve myslimane dhe vazhdimin e ndihmave financiare për Pakistanin dhe Afganistanin. Ky ligj përforcon gjithashtu kompetencat e Shteteve të Bashkuara për ndjekjen e terroristëve. Një dispozitë e tij do të zgjeronte autoritetin e qeverisë për të zhvilluar veprimtari spiunazhi ndaj terroristëve.

Por kjo dispozitë së bashku me një dispozitë tjetër, që do ta bënin më të vështirë për njerzit e dënuar për veprimtari terroriste që të liroheshin me kusht, ka shqetësuar disa ligjvënës. Ata pohojnë se shtimi i pushtetit të forcave të rendit do të dobësonte liritë civile dhe të drejtën private të cilat sipas tyre janë minuar nga Akti Patriot i miratuar nga kongresi menjëherë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Lidhur me këtë çështje senatori Robert Byrd, demokrat nga shteti i Virgjinias Perëndimore tha se “Duke pasur parasysh historinë e errët të abuzimit të lirive civile dhe të të drejtës private në komunitetin tonë të zbulimit, unë shpresoja se kongresi do ta trajtonte më me vëmendje këtë çështje, por në ligjin e fundit nuk ka vepruar kështu.”

Mes kritikave të tjera ndaj këtij projekt-ligji janë edhe ata që thonë se ky ai ka pak klauzola për të ndaluar ndërhyrjet politike në praktikën e përditshme të agjencive të zbulimit. Senatori Carl Levin është demokrat nga shteti Michigan. Në lidhje me këtë çështje ai thotë se “Krijimi i një drejtorie më të fuqishme zbulimi e bën edhe më të rendësishëm miratimin e reformave për të siguruar që vlerësimet e zbulimit të mos ndikohen nga gjykimet e politikës së administratës në pushtet dhe që një drejtori zbulimi kombëtare më e fortë të mos bëhet vetëm një armë më e fortë politike e çdo administrate.”

Ndërsa senatori Pat Roberts, republikan nga shteti Kansas dhe njëkohësisht kryetar i komisionit për çështje të zbulimit, është përpjekur t’i sigurojë kritikët se çdo mangësi në këtë projekt-ligj do të shqyrtohet dhe ndryshohet nga kongresi. “Pasi ky projekt ligj të bëhet ligj, ne do ta mbikqyrim nga afër zbatimin e tij dhe do t’i bëjmë shtojca gjatë viteve të ardhshme.”

Një dispozitë tjetër e këtij projekt-ligji është adhe ajo e cila përmirëson procedurën e politikës së kontrollit të valixheve nëpër aeroporte, shton numrin e agjentëve në patrullat kufitare dhe siguron më tepër fonde për të luftuar dukurinë e pastrimit të parave dhe krimeve financiare. //bsa//

XS
SM
MD
LG