Lidhje

UNMIK shpreh shqetësim që autoritetet serbe nuk po inkurajojnë serbët e Kosovës për të marrë pjesë në jetën politike - 2004-12-19


Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shprehu shqetësimin e saj të thellë për faktin se autoritetet serbe nuk po inkurajojnë serbët e Kosovës për të marrë pjesë në jetën politike dhe në institucionet e këtushme. Zëvëndëskryeadministratori ndërkombëtar, Lari Rosin, i tha sot në një takim në Prishtinë, kryesuesit të qendrës bashkërenduese serbe për Kosovën, Nebojsha Covic, se UNMIK-u është i bindur se serbët e Kosovës mund të zhvillojnë interesat e tyre në mënyrë të efektshme vetëmduke pasur një rol aktiv dhe të drejtpërdrejtënë këto forume dhe në të tjera, të cilat janë bërë për tu siguruar që interesat e komuniteteve pakicë të jenë plotësisht të përfaqësuara në zhvillimin institucional dhe proceset në Kosovë.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë shprehu sot zhgënjimin e tij të thellë për dështimin e vazhdueshëm të autoriteteve serbe për të inkurajuar udhëheqësit e komunitetit serb për të marrë pjesë në jetën politike të Kosovës, në Grupin punues për reformën në pushtetin lokal dhe Grupin këshillues për siguri. Zëvëndës kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Lari Rosin ia shprehu sot këto shqetësime kryesuesit të qendrës bashkërenduese serbe për Kosovën, Nebojsha Covic, i cili erdhi sot në Kosovë për të vizituar manastirin e Gracanicës në ditën e Shën Nikollës.

Zoti Covic është zyrtari i parë i lartë serb që viziton Kosovën që nga ardhja në pushtet e qeverisë së re të kryeministrit Ramush Haradinaj. Zoti Rosin ka nënvizuar sot në takimin e tij me zyrtarin serb se UNMIK-u është i bindur se serbët e Kosovës mund të zhvillojnë interesat e tyre në mënyrë të efektshme vetëm duke pasur një rol aktiv dhe të drejtpërdrejtë në këto forume dhe në të tjera, të cilat janë bërë për tu siguruar që interesat e komuniteteve pakicë të jenë plotësisht të përfaqësuara në zhvillimin institucional dhe proceset në Kosovë. Zoti Rosin ka theksuar gjithashtu se qeveria e re i ka thënë Grupit të Kontaktit plus, se është e vendosur të punojë me udhëheqësit e pakicave drejt një Kosove të qëndrueshme, shumëetike dhe u ka kërkuar udhëheqësve serbë të Kosovës të pranojnë ftesën e qeverisë për të marrë pjesë në të.

Zoti Rosin ka shprehur po kështu zhgënjimin e UNMIK-ut për dështimin e Beogradit për tiu përgjigjur kërkesës së përsëritur për rifillimin e punës së grupit të përbashkët të punës për personat e zhdukur, duke vënë në dukje se nuk ka nevojë të lidhet kjo cështje humanitare me cështje që s'kanë të bëjnë me të.

Zëvëndëskryeadministratori Lari Rosin ka kërkuar gjithashtu që serbët e Kosovës të inkurajohen për të paguar faturat e energjisë elektrike, duke theksuar se konsumuesit e energjisë elektrike, pavarësisht nga përkatësia etnike, duhet të paguajnë për energjinë e harxhuar. Frederic Matheu, këshilltar politik i komandantit të paqeruajtësve të NATO-s, Iv De Kermabo, i cili merrte pjesë në takimin me zotin Covic, ka kërkuar gjithashtu që zyrtari serb të inkurajojë serbët e Kosovës për të përdorur mundësitë për të marrë pjesë në këto grupe punuese.

XS
SM
MD
LG