Lidhje

Stacioni televiziv i Hezbollahut përfshihet në listën terroriste të Uashingtonit - 2005-01-01


Shtetet e Bashkuara përfshinë stacionin televiziv Al-Manar në listën e personave dhe organizatave terroriste. Al-Manar me bazë në Liban është stacioni zyrtar televiziv i grupit terrorist islamik Hezbollah, i cili mbështetet nga Irani dhe Siria.

Në bazë të ligjit amerikan, thotë Sekretari i Departamentit të Shtetit, Riçard Bauçer, një grup mund të përfshihet në listën terroriste nëse kryen ose nxit veprimtari terroriste dhe ky është përfundimi që kemi arritur në lidhje me stacionin televizi Al-Manar. Si rrjedhim i kësaj mase, personave që kryejnë shërbime apo japin para për stacionin Al-Manar, ose kërkojnë të sigurojnë mbështetjen për të, mund t’u mohohet viza për të hyrë në Shtetet e Bashkuara ose mund të dëbohen nëse ndodhën në këtë vend.

Stacioni televiziv Al-Manar i transmeton programet e tij në gjithë Lindjen e Mesme, disa prej tyre kanë arritur përmes satelitit të shihen edhe në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Një shembull i veprimeve të Al-Manarit është fushata e tij e egër kundër luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak. Al-Manari transmetoi një videokasetë me poezi lirike, në të cilat Shtetet e Bashkuara quhen nëna e terrorizmit dhe bëhet thirrje për sulme me pushkë dhe shpërthime vetëvrasëse kundër atyre që cilësohen si pushtues.

Masa e qeverisë amerikane kundër Al-Manarit pason vendimin për ndalimin e transmetimeve të këtij stacionit televiziv në Francë. Këshilli i Shtetit, gjykata më e lartë administrative e Francës, tha se programet e Al-Manarit janë të natyrës ekstremiste me ngjyrime anti-semite. Mes programeve të cituara nga gjykata ishte një, në të cilin bëhen akuza të rreme dhe absurde se zionistët po përpiqen të përhapin sëmundje të rrezikshme si sida përmes eksporteve në vendet arabe.

Televizioni Al-Manar u bën jehonë veprimtarive të organizatës së saj mëmë Hezbollah. Sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit, Riçard Bauçer, thotë se grupi Hezbollah është një organizatë aktive terroriste: “Njerëzit në Lindjen e Mesme janë të vetëdijshëm ashtu si ne për veprimtarinë e Hezbollahut, për sulmet që kryen, kontrabandën e saj të armëve, njerëzit që vret dhe për opozitën e saj të dhunëshme ndaj procesit të paqes.”

Stacioni Al-Manar, thotë zëdhënësi Bauçer, shërben për të nxitur këtë lloj dhune terroriste: “Prandaj është plotësisht e logjikshme që ne ta shikojmë Hezbollahun si organizatë terroriste, gjë që në fakt është, dhe që veprimtaritë e saj propagandistike nëpërmjet këtij stacioni televiziv duhen ndaluar.”

“Këtu nuk kemi të bëjmë me lirinë e fjalës, por me nxitjen e dhunës”, thotë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. “Shtetet e Bashkuara, “thekson ai”, nuk e kuptojnë arsyen që një organizatë terroriste të lejohet të përhapë urrejtjen e saj dhe të nxitë dhunën përmes valëve televizive.”

XS
SM
MD
LG