Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në Kroaci - 2005-01-02


Në Kroaci, anketat e para tregojnë se presidenti Stipe Mesic është në krye të garës për zgjedhjet presidenciale por ende nuk është e qartë nëse ai do të ketë fituar votat e mjaftueshme për të evituar balotazhin. Presidenti që do të zgjidhet do ta udhëheqë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Perëndimin. Kroacia është nën trysni për të rritur bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës.

Anketat e opinionit tregojnë se shumica e votuesve parapëlqejnë 70-vjeçarin Mesiç si Presidenti që do ta udhëhiqte vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i planifikuar për vitin 2009.

Anketat menjëherë pas mbylljes së votimeve tregojnë se një kandidat i pavarur, biznesmeni Boris Miksiç po i habit analistët me votat që duket se ka fituar.

Zëvendëskryeministrja Jadranka Kosor, aleate e ngushtë e kryeministrit konservator të vendit, ka dalë e treta.

51-vjeçare Kosor, ish gazetare, përkrah disa nga qendrimet proevropiane të zotit Mesiç, por shihet si më pak tërheqëse për publikun.

Analistët thonë se shumica e 4,5 milion votuesve të Kroacisë e shohin zotin Mesiç si kundërpeshë ndaj qeverisë konservatore të kryeministrit Ivo Sanader, i cili i përket partisë dikur ultranacionaliste Bashkimi Demokratik Kroat.

Kroatët e lavdërojnë gjithashtu zotin Mesic për guximin që ata thonë se tregoi si presidenti i fundit i ish Jugosllavisë, e cila u shpërbë dhe u zhyt në luftrat ballkanike të viteve 90, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga Kroacia dhe republikat e tjera.

Megjithëse posti i zotit Mesiç si president është kryesisht ceremonial, ai thotë fjalën e tij në çështjet e politikës së jashtëme, të mbrojtjes dhe të zbulimit si dhe gëzon kompetencën për të emëruar kryeministrin.

Ditët e fundit ai i ka paralajmëruar votuesit se vendi do të ketë përpara ditë të vështira. Ai i tha një intervistuesi se kroatët duhet të kuptojnë se hyrja në Bashkimin Evropian nuk sjell menjëherë qumësht dhe mjaltë dhe la të kuptohet se Kroacia duhet të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës.

Udhëheqësit evropianë kanë caktuar marsin e vitit 2005 si datën e fillimit të bisedimeve të pranimit të Kroacisë por ata kanë deklaruar se kjo kushtëzohet nga bashkëpunimi i plotë i qeverisë kroate me gjykatën e Hagës.

Sidomos ata kërkojnë dorëzimin e gjeneralit në pension Ante Gotovina, një prej personave kryesorë të dyshuar për krime lufte nga Gjykata. Duke shprehur besimin se vendi i tij do ta plotësojë një kërkesë të tillë përpara marsit të këtij viti, zoti Mesic tha se autoritetet ose do ta arrestojnë gjeneralin ose do të paraqesin prova se ai është jashtë vendit.

Zoti Mesiç erdhi në postin e presidentit me zgjedhjet historike të vitit 2000, duke zenë vendin e udhëheqësit autokrat Franjo Tudjman, i cili ishte kundër dorëzimit të personave të dyshuar për krime lufte. Zoti Tudjman ishte president në kohën kur vendi fitoi pavarësinë dhe u zhyt në luftë. Më pas ai u kritikua nga Perëndimi për nacionalizmin e skajshëm të politikave të tij.

XS
SM
MD
LG