Lidhje

Bush bën vizita ngushëllimi në ambasadat e vendeve të goditura më rëndë nga cunami  - 2005-01-03


Presidenti Bush bëri vizita ngushëllimi në ambasadat e vendeve të goditura më rëndë nga cunami aziatik i javës së kaluar.

Në vizitat që bëri në ambasadat e Indisë, Indonezisë, Sri Lankës dhe Tajlandës në Uashington, zoti Bush shoqërohej nga ish presidentët Bill Clinton dhe George Herbert Walker Bush.

Para kësaj, ai njoftoi se i ati i tij dhe ish presidenti Clinton do të drejtojnë një nismë në shkallë vendi për grumbullim ndihmash për viktimat e cunamit.

Zoti Bush tha se dy ish presidentët do t’u bëjnë thirrje amerikanëve të japin ndihma në adresë së organizatave të njohura bamirëse të cilat marrin pjesë në operacionet humanitare dhe të rindërtimit në rajonet e prekura.

Qeveria amerikane u ka premtuar vendeve aziatike ndihma me një vlerë prej 350 milion dollarësh. Por presidenti tha sot se burimi më i madh i bujarisë amerikane është zemra e mirë e popullit amerikan.

Sekretari i Shtetit Powell viziton zonat e goditura

Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, thotë se nuk pret shtimin e ndihmave amerikane për rajonet e shkatërruara nga cunami në Azinë Jugore, ndërkohë që filloi një turne në rajon për të vlerësuar shkatërrimet.

Zoti Powell dhe një ekip amerikan në të cilin bën pjesë edhe vëllai i Presidentit, Guvernatori i Floridës, Jeb Bush, mbërriti në Bankok sot. Ata do të takohen me zyrtarët e Tajlandës dhe do të vizitojë zonat e shkatërruara të vendit, para se të shkojë në Indonezi dhe Sri Lanka më vonë këtë javë.

Sekretari Powell u tha gazetarëve sot se ndihma prej 350 milionë dollarësh e dhënë nga Shtetet e Bashkuara është më se e mjaftueshme. Shtetet e Bashkuara janë kritikuar për përgjigjen e ngadalshme ndaj kësaj fatkeqësie të rëndë natyrore. Deri tani, komuniteti ndërkombëtar ka dhuruar 2 miliardë dollarë në ndihma.

Zoti Powell do të bashkohet me udhëheqësit botërorë dhe dhuruesit ndërkonbëtarë në Xhakarta të Indonezisë të enjten, për një takim të nivelit të lartë për shpëndarjen e ndihmave dhe për të vlerësuar nevojat e të ardhmes.

XS
SM
MD
LG