Lidhje

Komisioni i Senatit miraton kandidaturën e zonjës Rajs - 2005-01-19


Në Shtetet e Bashkuara, një komision i senatit miratoi kandidaturën e zonjës Condoleezza Rice si sekretare e shtetit dhe ia dërgoi emërimin e saj senatit për ta hedhur në votë në seancë të plotë.

Komisioni i punëve të jashtëme të Senatit miratoi me 16 vota pro dhe dy kundër kandidaturën e zonjës Rice.

Dy demokratët që u shprehën kundër ishin senatorja Barbara Boxer e Kalifornisë dhe senatori John Kerry i shtetit Massachusetts, i cili vitin e kaluar rivalizoi pa sukses për Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Bush.

Senatorët Kerry dhe Boxer ishin kritikët më të ashpër në komisionin e senatit lidhur me politikën e administratës ndaj Irakut. Senatori Kerry tha:

”Është fakt se Doktore Rice është njëra prej arkitekteve, zbatueseve dhe mbrojtëseve të një sërë politikash dhe vendimesh të administratës, të cilat sipas gjykimit tim, nuk e bënë vendin tonë aq të sigurt sa duhet ta bënin pas ngjarjeve të 11 shtatorit dhe armiqësuan një pjesë të mirë të botës.”

Demokrati kryesor në këtë komision, Senatori Joe Biden i shtetit Delaware, u shpreh dakord me pikpamjen se politika e administratës për Irakun ka probleme dhe tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë patur një plan të qartë të pas luftës. Por ai votoi në favor të zonjës Rice dhe shfaqi shpresën se si sekretare shteti ajo do të jetë një zë i pavarur për politikën e jashtëme dhe nuk do të ngurrojë të flasë hapur me presidentin për Irakun.

”Do të votoj për zonjën Rice por i lutem zotit se të paktën ajo do t’i thotë presidentit ”shef, punët nuk po shkojnë dhe aq mirë”.

Senatorja demokrate Boxer, e cila në seancën e djeshme pati një dialog të ashpër me zonjën Rice, i vazhdoi edhe sot kritikat e saj ndaj politikave të administratës për Irakun. Ajo tha se për të hequr qafe Sllobodan Millosheviçin nuk u desh të vriten 1 mijë e 300 ushtarë amerikanë siç ndodhi në Irak. Zonja Rice iu përgjigj kritikave me këto fjalë:

“Para së gjithash nuk mund të bie dakord se Millosheviçi dhe Sadam Huseini përbënin të njëjtin problem. Ne duhet të pranojmë se metoda të ndryshme duhen ndjekur kundrejt diktatorëve të ndryshëm. Në rastin e Millosheviçit ndodhën një sërë ngjarjesh që nuk mund të harrohen, dhe pikërisht në qendër të Evropës. Format e ndryshme të presionit që ne ushtruam ndaj Millosheviçit nuk patën rezultat në rastin e Sadam Huseinit. Prandaj e kundërshtoj analogjinë e bërë mes këtyre dy individëve”.

Me pamje të emocionuar, Senatorja Boxer iu kundërpërgjigj zonjës Rice duke thënë se me të vërtetë dy tiranë nuk janë të njëjtë, por ndryshimi mes tyre është se heqja e Millosheviçit nuk u kushtoi asnjë jetë njeriu amerikanëve. Në rastin e Sadam Huseinit 25 përqind e humbjeve në radhët e amerikanëve janë nga Kalifornia dhe ne, tha ajo, nuk mund ta harrojmë këtë.

Senatori George Allen, republikan i shtetit Virginia u shpreh pa rezerva në mbështetje të kandidaturës së zonjës Rice.

”Kur shikoj në përgjithësi të kaluarën, përvojën dhe parimet e saj në përgjithësi, nuk më mbetet veçase t’u drejtohem kolegëve me respekt dhe t’u kërkoj ta konfirmojnë kandidaten e presidentit Bush për sekretare shteti. Mendoj se ajo do ta bëjë vendin të ndihet krenar,” tha senatori Allen.

Komisioni i Senatit votoi pas seancës me pyetje përgjigje që zgjati dy ditë.

Demokratët e kritikuan administratën që nuk u tregua e sinqertë me popullin amerikan rreth arësyeve për të filluar luftën me Irakun, rreth kostos së mbajtjes së trupave atje dhe mungesës së një strategjie largimi nga ky vend.

Zonja Rajs nuk tha se kur mund të largohen trupat nga Iraku, por shtoi se koha do të varet nga aftësia e irakianëve për të luftuar vetë kundër terroristëve.

Megjithëse e mbështeti vendimin për të larguar Sadam Huseinin hga pushteti, zonja Rajs e pranoi se administrata bëri edhe disa gabime.

“Lidhur me Irakun ne kemi marrë shumë vendime, disa të mira, disa të gabuara.”

Ajo tha se trupat amerikane nuk ishin të përgatitura për detyrën e vështirë të rindërtimit të këtij vendi. Po ashtu ajo e prani se ka patur probleme me stërvitjen e forcave irakiane për policë. Por ajo thotë se administrata ka ndërmarrë hapa për ta trajtuar këtë problem.

Kandidatura e zonjës Rajs pritet të miratohet me lehtësi nesër nga i gjithë Senati. Ligjvënësit pritet të mblidhen për të votuar pak kohë pasi presidenti Bush të bëjë betimin për mandatin e dytë në një ceremoni që do të zhvillohet në shkallët e ndërtesësë së Kongresit.

XS
SM
MD
LG