Lidhje

Reagime ndaj listës së zezë të BEsë për Maqedoninë - 2005-02-01


Në Maqedoni Partia Demokratike Shqiptare në opozitë reagoi sot lidhur me shpalljen e listës së zezë të Bashkimit Evropian, në të cilën është përfshirë edhe sekretari i përgjithshëm dhe deputeti i saj, Ruzhdi Matoshi.

Ky i fundit bëri të ditur se do të kërkojë dëshmi të hollësishme nga përfaqësuesit e BE-së në Shkup për përfshirjen në listën e zezë. Zoti Matoshi tha se qarqe të caktuara vendore në Maqedoni i ofrojnë përfaqësuesve ndërkombëtarë informacione të rrejshme dhe të pasakta rreth aktiviteteve partiake të Partisë Demokratike Shqiptare. Ai tha se veprimi i tij politik është në përputhje me procesin e integrimeve evropiane. Partitë maqedonase vlerësuan se vendimi i Bashkimit Evropian është një sinjal i qartë për ndëshkimin e ekstremistëve dhe sipas tyre për mbështetjen e procesit të integrimit të vendit në strukturat evroaltantike.

Bashkimi Evropian ka ndërmarrë masa ndalimi edhe për tre shtetas të tjerë të Maqedonisë, Agim Krasniqi, i njohur si udhëheqës i grupeve të armatosura shqiptare në ngjarjet e vitit të kaluar në fshatin Kondovë të Shkupit, Fatmir Limani, ish-pjestarë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Taip Mustafa.

Në listën e zezë të miratuar nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së janë përfshirë gjithsej 21 persona nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova, për të cilët theskohet se janë " ekstremistë" dhe "pengues" të proceseve në Maqedoni, të bazuara nga Marrëveshja e Ohrit.

XS
SM
MD
LG