Lidhje

Kosovë: Ahtisari fillon takimet në kuadër të procesit për statusin përfundimtar


Kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, ish-presidenti 68 vjecar finlandez, Marti Ahtisari, bëri të qartë me të mbrritur në aeroportin e Prishtinës se do të dëgjojë këtë herë pikëpamjet e palëve të përfshira në proces. Zoti Ahtisari, i shoqëruar nga diplomati austriak Albert Rohan, u takua sonte me shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen dhe pritet të takohet me komandantin e KFOR-it, Giuseppe Valotto. Zoti Ahtisari u prit me protestë nga lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, e cila është kundër negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.

Kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për bisedimet për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, pritet të takohet nesër me grupin negociator të Kosovës të kryesuar nga presidenti Rugova dhe me përfaqësues të partive politike- shqiptare dhe serbe. Zoti Ahtisari do të vazhdojë më pas vizitat në Beograd, Podgoricë, Shkup dhe Tiranë.

Grupi negociator i Kosovës i quajtur grupi i unitetit, u takua sot në Prishtinë dhe miratoi dokumentin mbi pozicionin e Kosovës për statusin e vendit, i cili do t’i dorëzohet zotit Ahtisari, gjatë takimit të parë të këtij delegacioni nesër në Prishtinë. Po sot, parlamenti i Kosovës miratoi nismën e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për hartimin e projekt-Kushtetutës së Kosovës.

Ndërkohë në Beograd, parlamenti serb miratoi një rezolutë për Kosovën, e cila duhet të shërbejë si platforma negociuese e palës serbe për statusin e ardhshëm të Kosovës. Kryeministri serb Vojsllav Koshtunica, ka thënë se zgjidhja e cështjes së Kosovës sipas tij, duhet bërë duke ruajtur sovranitetin e Serbisë dhe Malit të Zi dhe duke u dhënë autonomi shqiptarëve të Kosovës.

Ndërsa në Prishtinë, administrata ndërkombëtare pohoi sot se pret provokime gjatë bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës. Shefi i kësaj administrate Soren Jessen Petersen, tha se ka njerëz të çmendur që besojnë se mund ta shpejtojnë vendimin për statusin, përmes dhunës dhe që besojnë se mund ta bllokojnë rrugën përpara duke provokuar dhunë.

XS
SM
MD
LG