I dërguari i lartë i SHBA për Iranin tha të enjten se Teherani nuk ka gjasa të hakmerret për vrasjen e shkencëtarit të njohur bërthamor Mohsen Fakhrizadeh përpara inaugurimit të Joe Bidenit, në rast se një gjë e tillë do të rrezikonte zbutjen e sanksioneve në të ardhmen.
Fakhrizadeh, i cili dilte rrallë në publik në Iran, por ishte klasifikuar nga Izraeli si aktor kryesor në synimin e Iranit për të patur armë bërthamore, u vra të premten, gjatë një prite që i ishte ngritur në një autostradë pranë Teheranit, ndërsa makina e tij u bë shoshë nga plumbat.
Elliott Abrams, përfaqësuesi i posaçëm i Uashingtonit për Iranin dhe Venezuelën, tha në një intervistë se Teherani ka nevojë të dëshpëruar për një zbutje të sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara dhe se ky do të ishte kakulimi i parë që do të bënte Irani para se të merrte një vendim ndërkohë që Presidenti i zgjedhur Biden do të marrë stafetën e pushtetit nga Presidenti Donald Trump më 20 janar.
"Nëse duan lehtësim të sanksioneve, ata e dinë se do të duhet të hyjnë në një lloj negocimi pas 20 janarit dhe besoj se nuk kanë interes të ndërmarrin ndonjë veprim nga tani deri në 20 janar, sepse kështu zbutja e sanksioneve do të ishte më e lehtë,” tha ai.
Sundimtarët fetarë dhe ushtarakë të Iranit kanë fajësuar Izraelin për vrasjen e shkencëtarit Fakhrizadeh dhe kjo ka ngritur mundësinë e një konflikti të ri midis Teheranit dhe armikut të tij të vjetër. Zyra e Kryeministrit Benjamin Netanyahu nuk ka pranuar të komentojë mbi vrasjen.
Tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur që nga viti 2018, kur Presidenti Trump braktisi marrëveshjen bërthamore të ish-Presidentit Obama të 2015-s dhe rivendosi sanksionet e ashpra ekonomike për t’i bërë presion Teheranit, në mënyrë që ai të shkurtonte më tej programin e tij bërthamor, prodhimin e raketave balistike dhe mbështetjen për forcat rajonale vegla të tij.
Si hakmarrje, Teherani gradualisht shkeli kufizimet e përcaktuara në marrëveshjen për programin e tij bërthamor. Zoti Biden ka thënë se do t'i kthejë Shtetet e Bashkuara në marrëveshje nëse Irani rifillon t’i përmbahet asaj.
Javën e kaluar, zoti Abrams tha se administrata Trump po planifikon të shtrëngojë sanksionet ndaj Teheranit gjatë javëve të tij të fundit në pushtet, por gjithashtu i ka bërë thirrje zotit Biden të kërkojë një marrëveshje që zbut kërcënimet rajonale dhe bërthamore që paraqet Republika Islamike.
Ai shtoi se pret që negociatat me Iranin të zhvillohen vitin e ardhshëm dhe se beson që nën administratën Biden do të arrihet një marrëveshje.
Sundimtarët fetarë të Iranit kanë përjashtuar negociatat mbi programin e tij raketor ose ndryshimin e politikës së tij rajonale. Ata kërkojnë një ndryshim në politikën e SHBA, duke përfshirë heqjen e sanksioneve.
Facebook Forum