Lidhje

Debate pas visitës së Kryeministrit japonez në tempullin Yasukuni


Kryeministri japonez, Shinzo Abe bëri një vizitë në një tempull lufte, që shumë prej vendeve fqinje të Japonisë e shikojnë si simbol të së kalurës së saj ushtarake. Vizita ka ngjallur debate.

Kryeministri Abe tha se vizita e tij sot në tempullin Yasukuni nuk synonte të prekte ndjenjat e fqinjëve të Japonisë, por ishte një gjest respekti për të vrarët në luftë dhe një zotim se Tokioja nuk do të angazhohet më në luftë.

“Fatkeqësisht, një vizitë në tempullin Yasukuni është shndërruar në një çështje politike dhe diplomatike. Ka kaluar një vit që kur fillova detyrën dhe zgjodha këtë ditë për të ardhur këtu. Erdha për të raportuar rreth përparimit të bërë gjatë vitit të fundit dhe për të ripërtërirë angazhimin tim ndaj paqes në mënyrë që të mos shkaktojmë më kurrë vuajtje për askënd në luftë".

Tempulli Yasukuni i Tokios nderon gati 2.5 milion japonezë të vrarë gjatë luftës, mes tyre edhe 14 kriminelët e dënuar të Luftës së Dytë Botërore. Udhëheqësit japonezë e kanë vizituar rregullisht tempullin, por kjo është vizita e parë e një kryeministri që prej vitit 2006. Vizita u dënua menjëherë nga zyrtarë të Kinës dhe Koresë së Jugut, dy vende që ishin mes viktimave kryesore të epokës imperialiste të Japonisë në shekullin e 20-të.

“Qeveria kineze shpreh pakënaqësinë dhe protestën e saj të thellë si dhe dënon këtë veprim të udhëheqësve japonezë, që prek rëndë ndjenjat e popullit kinez dhe të popujve të tjerë aziatike. Ai i bën sfidë të hapur drejtësisë historike dhe ndërgjegjes njerëzore”, tha zëdhënësi kinez.

“Vizita e Kryeministrit Abe në tempullin Yasukuni tregon se ai ka një perceptim të gabuar të historisë. Ky është një akt anakronik, i cili dëmton rëndë lidhjet mes Koresë së Jugut dhe Japonisë si dhe stabilitetin e bashkëpunimin në Azinë verilindore”,
tha ministri korean i kulturës.

Ministria e Jashtme e Kinës thiri ambasadorin japonez në Pekin për t’i paraqitur "kundërshtimin e ashpër" të Pekinit për vizitën.

Lidhjet mes Kinës dhe Japonisë janë keqësuar kohët e fundit për shkak të një mosmarrëveshjeje të ashpër lidhur me një grup ishujsh të pabanuar në Detin e Kinës Lindore.
XS
SM
MD
LG