Lidhje

Abramovic: Kosova të jetë e përgatitur për negociata të mundshme politike me Serbinë


Ambassador Morton Abramowitz
Ambassador Morton Abramowitz

Një ekspert dhe ish-diplomat i njohur amerikan thotë se Kosova dhe perëndimi duhet të jenë të përgatitura për hapat që duhet të ndërmerren pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Ambasadori Morton Abramovic, ekspert në Fondacionin Century thotë se një nga skenaret me të cilat mund të përballet Kosova, mund të jenë negociatat politike të propozuara nga serbët me mundësinë e diskutimit të fatit të rajoneve serbe të veriut.

Zëri i Amerikës: Ambasador Abramowitz, muajin e ardhshëm Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet të publikojë opinionin e saj mbi ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Si mendoni se do të ndikojë ky opinion në pozitën e Kosovës në botë, si edhe qëndrimin e vendeve të tjera ndaj Kosovës?

Amb. Morton Abramovic: Cilido qoftë vendimi, do të ketë ndikim. Ne nuk e dimë se cili do të jetë ky vendim, por nëse është në favor të Kosovës do të sillte si rezultat shumë më tepër njohje, gjë që do të ishte shumë pozitive. Megjithatë kjo nuk do të thotë se patjetër do të zgjidhje problemin e hyrjes së Kosovës në Kombet e Bashkuara për shkak të vetos ruse. Nëse Gjykata vendos në favor të Serbisë, nuk besoj se do të ketë ndonjë ndikim tek pavarësia e Kosovës. Mund të humbë njohjen nga një ose dy vende ...Nëse opionini që nxjerr Gjykata krijon një situatë pak a shumë të pandryshuar, do të ishte një humbje për Serbinë dhe kur Serbia ta pranojë që situata mbetet e pandryshuar, do të thotë që vende të tjera do ta njohin Kosovën me një ritëm edhe më të shpejtë. Dhe një gjë e tillë unë besoj se do të sillte si rezultat një rishqyrtim të politikës serbe ndaj Kosovës dhe është kjo pjesë e problemit që është një vendim që duket se nuk shprehet në mbështetje të asnjërës palë që lejon mundësinë e negociatave të reja. Unë besoj se nëse vendimi i gjykatës është i tillë, Serbia do të kërkojë negociata të reja me Kosovën. Nuk do të bëhet fjalë për negociata teknike siç po flitet për pasaporta dhe dogana, por do të jenë në fund të fundit negociata për katër distriktet e veriut të Kosovës. Të paktën kështu mendoj unë. Një gjë që e dëgjova shpesh gjatë vizitës sime dyditore në Beograd, para dy javësh ishte e para që Serbia nuk do ta njohte Kosovën, çfarëdo marrëveshjeje të bëhej, por nga ana tjetër Serbia nuk mund ta lërë Kosovën me duar bosh. Mund të bëhet fjalë për një pozicion negociatash, është një qëndrim i vështirë, por dëgjova shumë të flitej për këtë në atë kohë të shkurtër që isha në Serbi.

Zëri i Amerikës: Pyetja ime pasuese është pikërisht për këto çështje teknike...

Amb. Morton Abramovic: Çështjet teknike janë të dobishme, janë të rëndësishme për njerëzit sepse prekin jetën e përditshme të njerëzve, por nuk zgjidhin çështjen më të gjerë të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Pyetja që shtrohet është a do të ketë negociata më thelbësore dhe kjo është ende e paqartë. Unë po them që parashikoj – dhe mund ta kem edhe gabim – që Serbia do të kërkojë negociata më serioze për distriktet veriore që janë pothuajse plotësisht të banuara dhe të kontrolluara nga serbët. Ata e quajnë një rregullim territori. Tani çdo gjë varet nga opinioni i Gjykatës, por mendoj se Serbia po mendon se çfarë të bëjë pas këtij opinioni. Mendimi im është që edhe qeveria e Kosovës po bën të njëjtën gjë. Unë shpresoj që edhe qeveritë perëndimore, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të jenë duke analizuar situatën dhe mënyrën sesi do të reagojnë me llojin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara kanë thënë se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk do të ketë asnjë ndikim në qëndrimin politik të Uashingtonit, pasi ky qëndrim është shprehur me mbështetjen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës...

Amb. Morton Abramovic: Nuk do të ndryshojë gjë në qëndrimin e vendeve që e kanë njohur pavarësinë – megjithëse disa prej tyre mund të ndryshojnë mendje. Kosova mbetet një vend i pavarur me një bazë të gjerë mbështetjeje nga Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh të tjera. Por një gjë e tillë nuk e mbyll çështjen. Unë parashikoj që nga ana e Serbisë të ketë një interes për të filluar negociata të tjera mbi natyrën thelbësore të marrëdhënieve. Mendoj se do të jetë shumë e vështirë në të ardhmen e afërt . Por nëse ata fillojnë të diskutojnë për ato distrikte në veri të Kosovës, do të ngriheshin çështje të ndryshme dhe shumë të rëndësishme për atë që do të ndodhë mes Serbisë dhe Kosovës. Mund edhe të mos ndodhë gjë dhe mund të krijohet ajo që zyrtarët serbë e quajnë konflikt të ngrirë, një marrëdhënie e papërcaktuar mes Serbisë dhe Kosovës. Por Serbisë nuk do t’i pëlqente edhe aq shumë një gjë e tillë, sepse moszgjidhja e marrëdhënies me Kosovën, e bën të vështirë për ta që të vazhdojnë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pra unë mendoj se pas opinionit, do të ketë një prirje të Serbisë që të diskutojë për të ardhmen afatgjhatë dhe jo thjesht, detyrat e doganës, pasaportat apo patentat.

Zëri i Amerikës: Është e qartë që Serbia do ta preferonte ndarjen e Kosovës, por a mendoni se një tezë e tillë ka në realitet shans për sukses, duke pasur parasysh se kjo nuk është vetëm në dorën e Serbisë. Pra ndërsa si alternativë mund të jetë në tryezë, por a ka shans që të konsiderohet?

Amb. Morton Abramovic: Unë personalisht shpresoj që jo. Mendoj që hapja e një diskutimi të tillë do të ishte shumë i rrezikshëm për gjithë rajonin. Nga ana tjetër ka vende që janë në favor të ndarjes dhe në fund të fundit shumica e banorëve të atyre distrikteve janë serbë dhe ata asnjëherë nuk janë qeverisur nga Kosova. Perëndimi që nga viti 1999 kur morën kontrollin, nuk ka bërë asgjë për ta integruar atë pjesë nën qeverisjen e Kosovës. Pra serbët do ta paraqesin argumentin që ka një bazë të fortë për ndryshimin e kufijve. Sigurisht që një gjë e tillë do të hapte diskutime të tjera. Për shembull ideja që Lugina e Preshevës që bashkohet me Kosovën. Por unë nuk po them që kjo do të ndodhë. Po them që vendimi i Gjykatës, në varësi të natyrës që do të ketë, hap çështje më të mëdha sesa ato të patentave për makina. Unë po them vetëm që Perëndimi dhe qeveria e Kosovës duhet të jenë të përgatitur për reagimin ndaj një mundësie të tillë.

Zëri i Amerikës: Si e shihni marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë në të ardhmen, duke pasur parasysh se sido që të vazhdojë diskutimi për ndarjen dhe pavarësinë, këto dy vende do të jenë fqinjë?

Amb. Morton Abramovic: Duhet të kemi disa gjëra parashysh: E para është që asnjë politikan serb nuk do që të dentifikohet si politikani që njohu pavarësinë e Kosovës, pasi të gjithë kanë frikë se nuk do të zgjidhen. Edhe nëse mendojnë se Serbia është gati ta kthejë faqen në lidhje me Kosovën, është shumë e vështirë politikisht që të bëhet njohja. Kështuqë unë nuk shoh asnjë politikan serb në të ardhmen e afërt të njohë Kosovën. Por nuk besoj se ky qëndrim automatikisht ndalon hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, apo nëse Serbia do të përpiqet të pengojë anëtarësimin e Kosovës me ndihmën e miqve të saj, rusëve. Por për të ardhem e afërt dhe deri kur disa politikanë serbë të jenë të gatshëm të thonë se kanë hequr dorë nga Kosova, ne duhet të njohim dhe të gjejmë një formë marrëdhëniesh normale. Por derisa kjo të ndodhë dhe nuk e di a do të ndodhë apo jo, do të kemi situatën ku Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën. Dhe kjo shkakton problem për aspiratat serbe për Bashkimin Evropian. Prandaj kur dhe si do t’i balancojnë këto të dyja është një problem i madh dhe kjo është një arsye pse unë mendoj që Serbia do të jetë e interesuar për negociata me Kosovën, për të ardhmen e marrëdhënieve të tyre, thjesht sepse së pari do ta shohin pozitën e tyre në lidhje me njohjet të përkeqësohet dhe si rezultat edhe aftësitë e tyre negociuese. Prandaj mendoj se nga perspektiva serbe një vendim i Gjykatës që nuk ndryshon gjë i lë ata në një pozitë të vështirë.

Zëri i Amerikës: Nëse e shohim me këtë sy, duket se Serbia ka më shumë për të humbur nga një situatë e papërcaktuar, duke pasur parasysh integrimin në Bashkimin Evropian. ..

Amb. Morton Abramovic: Po, por edhe Kosova nuk futet dot në Kombet e Bashkuara, ka vështirësi të stabilizojë situatën. Edhe ata (Kosova) duan që të ndërtojnë një shtet të suksesshëm dhe kanë ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Kosova ende qeveriset nga perëndimi Ata akoma qeverisen nga perëndimi. Prandaj edhe Kosova ka interes të ketë një marrëdhënie të mirë me Serbinë. Nga ana tjetër mendoj se keni të drejtë kur thoni se interesat e Serbisë do të ndikohen më shumë nëse situata mbetet këtu ku është.

Zëri i Amerikës: Me situatën aktuale, kur Serbia nuk ka dhënë ndonjë shenjë se do të ndryshojë qëndrim, si e shihni skenarin e procesit të afrimit të Serbisë me Bashkimin Evropian?

Amb. Morton Abramovic: Pikërisht ky është mendimi im, që duke propozuar negociata, ata duan të japin përshtypjen se po bëjnë disa hapa. Ata i shohin negociatat si rrugën më të mirë, për të ruajtur situatën që është në Serbi, ndoshta të bëjnë përparim në distriktet serbe të Kosovës dhe të arrijnë një marrëveshje që megjithëse nuk do ta njohin pavarësinë, të arrijnë një marrëveshje me Kosovën, që të konsiderohet e mjaftueshme për të lejuar hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Ju vetë a mendoni se negociata të tilla do të ishin diçka pozitive?

Amb. Morton Abramovic: Unë mendoj se janë disa gjëra që mund të bëhen, por gjithashtu mendoj se situata duhet parë jo thjesht si një situatë që ka të bëjë me Kosovën dhe Serbinë. Duhet pasur parasysh se çfarë po ndodh në Maqedoni dhe Bosnje. Pra çfarëdo që të ndodhë mes Serbisë dhe Kosovës, do të ketë ndikim tek Bosnja dhe Maqedonia. Prandaj nga një këndvështrim perëndimor, mënyra sesi do të veprohet, nëse këto zhvillime ndodhin, duhet të shihet duke pasur parasysh gjendjen në rajon. Duhet pasur gjithashtu parasysh se shumë vende evropiane duan që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ashtu si të gjithë ne. Kështu ata do të jenë të interesuar që të gjejnë rrugë që ta bëjnë më të mundur hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian. Prandaj unë nuk do të mendoja automatikisht situatën si statike. Prandaj do të thoja që negociatat mes dy palëve – siç kishte parashikuar Ahtisaari për të ardhmen e marrëdhënieve – janë një skenar shumë i mundshëm. A do ta pranojë perëndimi dhe Kosova një gjë të tillë apo jo, është diçka që ata duhet ta mendojnë.

Perëndimi duhet të shikojë rrugët për të përmirësuar situatën dhe duhet ta shohë në një mënyrë të tillë, që stabiliteti i rajonit të mos rrezikohet. Prandaj ata duhet të konsiderojnë të gjitha alternativat, si për shembull ndarje, çfarë është e gatshme Serbia të ofrojë, cila është marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës, cili është ndikimi i çfarëdolloj marrëveshjeje tek Maqedonia. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme. Unë nuk dua të hyj në detaje. Unë po përpiqem të sugjeroj që vendimi i gjykatës mund të hapë një diskutim shumë më të gjerë sesa thjesht patenta dhe pasaporta.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët stabilitetin e rajonit dhe më parë ju keni shprehur shqetësimin se fakti që vendet e Bashkimit Evropian nuk kanë një qëndrim të unifikuar për Kosovën, ka ndikim në këtë stabilitet...

Amb. Morton Abramovic: Do t’i përgjigjem pyetjes suaj vetëm në përgjithësi, pa hyrë në hollësi: Një marrëveshje do të duhej të parashikonte që Kosova të vazhdonte si një shtet i pavarur, që të përparojë dhe të mos pengohet. Së dyti, duhet të jetë e ndërtuar në mënyrë të tillë që të mos dëmtojë stabilitetin e Maqedonisë. Pra natyra e e negociatave duhet të jetë e tillë, që të respektojë pavarësinë e Kosovës, tërësinë territoriale të saj dhe të mos ketë ndonjë ndikim negativ tek fqinjët, si edhe t’i lejojë Serbisë të marrë hapa që të lehtësojnë hyrjen e saj në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Në kohën që ju ishit për vizitë në Kosovë, EULEX-i po ndërmerrte operacione ndaj dyshimeve për përfshirje të zyrtarëve të lartë në korrupsion. Cili është mendimi juaj për këtë dukuri shqetësuese në Kosovë?

Amb. Morton Abramovic: Të gjithë njerëzit që kam takuar në Kosovë mendojnë se shkalla e korrupsionit atje është shumë e lartë. Korrupsioni po e vë në rrezik Kosovën, nuk po lejon Kosovën që të bëhet një shtet modern dhe normal dhe duhet marrë masa për ta luftuar. Kjo dukuri e dëmton pozitën morale të Kosovës. Dhe Kosova nuk është i vetmi vend me korrupsion. Të gjitha vendet e tjera, Serbia, Maqedonia, Bosnja kanë korrupsion, por gjithsesi Kosova duhet të merret me zgjidhjen e këtij problemi. Unë nuk mendoj që ata e kanë bërë një gjë të tillë. Besoj se ky është një problem shumë i rëndë. Nuk e di se çfarë kanë bërë që kur kam ikur unë. E di që po merreshin me ato raste po mesa duket asgjë nuk ka ndodhur. Ky problem duhet të zgjidhet. Unë gjithashtu mendoj se ka ardhur koha që Kosova të marrë gjërat në dorë vetë dhe për dy vjet, unë besoj se perëndimi duhet të largohet që atje, të vazhdojë të japë ndihmën teknike që i duhet qeverisë së Kosovës. Kështu Kosova duhet të bëjë gabimet e veta dhe të mos bëjë përgjegjëse për çdo gjë perëndimin. Në vitin 2012 do të jenë bërë 13 vjet dhe unë besoj se Kosova mjaft ka qenë koloni.

Zëri i Amerikës: Më shumë se dy vjet pas pavarësisë, si do t’i përmblidhnit zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë?

Amb. Morton Abramovic: Unë gjithmonë e kam mbështetur me forcë pavarësinë e Kosovës dhe gjithmonë kam menduar se duhej të ndodhte. Mendoj se po ndodhin gjëra pozitive, por besoj se ende nuk e kanë krijuar një shtet efektiv dhe mendoj se ky është problemi kryesor. Mendoj se ata duhet të ngrenë një shtet efektiv me shtet ligjor. Duhet ta bëjnë sa më shpejt të jetë e mundur dhe besoj se shanset janë më të mëdha që ta bëjnë një gjë të tillë nëse Kosovë i merr në dorë vetë punët e veta me ndihmë nga perëndimi por jo perëndimi të ketë kontrollin e vendit. Objektivi kryesor i perëndimit është stabiliteti dhe jo domosdoshmërisht demokracia dhe shoqëria e hapur. Ata do të donin që kjo të realizohej, por ata janë më shumë të interesuar për stabilitetin me mbrojtjen e enklavave serbe. Pikëpamja ime është që ka ardhur koha që Kosova të qeverisë vetveten dhe duhet ta bëjnë këtë brenda 3 vjetëve të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG