Lidhje

Administrata e Presidentit Biden njofton sanksione të reja në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit


Selia e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, administrata e Presidentit Biden njoftoi të enjten një sërë sanksionesh ndaj 15 zyrtarëve të huaj dhe kompanive për të cilët thotë se janë të përfshirë në korrupsion.

Njoftimi i sanksioneve për persona dhe kompani në Amerikën Qendrore, Afrikë dhe Evropë erdhi ndërsa Presidenti Biden çeli samitin virtual për demokracinë.

Ndër të sanksionuarit janë zyrtarë nga El Salvadori dhe Guatemala, të cilët administrata e Presidentit Biden i akuzon për korrupsion me prokurimin e furnizimeve mjekësore të lidhura me COVID-19.

Martha Carolina Recinos De Bernal, shefja e stafit e presidentit të Salvadorit, akuzohet se është përfshirë në "prokurime të dyshimta" të pajisjeve mjekësore. Një zyrtar guatemalas, Manuel Victor Martinez Olivet, akuzohet për "keqpërdorim, vjedhje dhe abuzim të autoritetit" në lidhje me kontratat.

"Veprimet korruptive ua heqin burimet qytetarëve, dëmtojnë besimin publik, dhe rrezikojnë progresin e atyre që luftojnë për demokraci", shprehet në një deklaratë Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen.

Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen
Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen

Sanksione iu vendosën edhe dy kompanive të ndërtimit në Sudanin Jugor, të cilat akuzohen se marrin trajtim preferencial nga zyrtarët.

Sanksione u vendosën gjithashtu edhe ndaj ukrainasit Andriy Portnov, ish-drejtues i administratës së presidencës ukrainase nën ish-Presidentin Viktor Yanukovych. Zoti Portnov akuzohet se ka paguar para për ndikuar mbi sistemin e gjyqësorit në Ukrainë.

Pjesë e sanksioneve janë edhe ish-zyrtarë të Angolës, të cilët akuzohen për vjedhjen e miliarda dollarëve.

* Një pjesë e të dhënave për këtë artikull janë marrë nga agjensia e lajmeve Reuters.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG