Lidhje

Administrata Trump mbush një vit


Më 20 janar, Presidenti Donald Trump shënoi vitin e tij të parë në detyrë. Viti i parë i Presidentit Trump ishte plot ngjarje dhe shumë i ndryshëm nga çdo president tjetër në historinë politike amerikane të dekadave të fundit. Viti 2018 mund të ofrojë pak a shumë të njëjtën gjë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone na jep këtë vështrim.

Presidenti i 45-të i Amerikës e nisi me një fillim të guximshëm.

"Duke filluar nga kjo ditë do të jetë vetëm Amerika e para, Amerika e para,” tha ai.

Pa humbur kohë, ai filloi punën për të shfuqizuar urdhrat ekzekutivë të paraardhësit të tij Barak Obama dhe plotësoi vendin e mbetur bosh në Gjykatën e Lartë.

Fitorja e tij më e madhe, një ligj gjithëpërfshirës për shkurtimin e taksave erdhi në dhjetor, pas 11 muajsh në detyrë.

"Pra, ja ky këtu është ligji dhe ne jemi shumë krenarë që ia dolëm. Do të jetë diçka e jashtëzakonshme për popullin amerikan; do të jetë fantastike për ekonominë," tha Presidenti Trump.

Miratimi i ligjit për taksat mund të ndihmojë republikanët në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor të këtij viti, thotë analisti John Fortier:

"Republikanët arritën ta miratojnë ligjin për taksat, një ligj i rëndësishëm. Kjo për ta ishte një arritje e madhe, që i ka vënë në udhë më të mirë".

Viti i parë për Presidentin Trump ishte me shumë pengesa, siç ishte dështimi i përpjekjeve për të shfuqizuar ligjin shëndetësor të Presidentit Obama, shpërthimet e shumta në Twitter dhe, nganjëherë, retorika fyese, siç ishin komentet e fundit vulgare për Haitin dhe vendet afrikane.

Kjo nxiti zemërimin e demokratëve, si senatori Cory Booker:

"Këto fjalë nuk treten si mjegulla në ajër. Ato ngjisin, kthehen në helm dhe janë pasaportë për fanatizëm dhe urrejtje në vendin tonë".

Stili polemik dhe ndonjëherë polarizues i zotit Trump vazhdon ta dëmtojë atë në sondazhe, pavarësisht nga ekonomia e fortë, thotë analisti John Hudak:

"Mendoj se njerëzit e gjykojnë zotin Trump nga shumë aspekte, jo thjesht nga ekonomia dhe kjo shpjegon vlerësimin e tij të ulët në sondazhe.”

Niveli historikisht i ulët i vlerësimit për presidentin Trump mund t’u japë dorë demokratëve të marrin më shumë vende në zgjedhjet e mesmandatit për Kongres, thotë analisti Larry Sabato.

"Kur vjen vala, uji të merr me vete dhe nuk bën dallim mes atyre që e identifikojnë veten me një president jopopullor dhe atyre që u përpoqën të mbajnë distancë me të.”

Për vitin 2018, zoti Trump shpreson se një ekonomi e fortë do të përmirësojë sondazhet në favor të tij.

Por, mundësia e humbjeve në zgjedhjet e nëntorit dhe hetimet për çështjen e Rusisë që nuk po njohin fund, mund ta bëjnë vitin e dytë të Presidentit Trump edhe më sfidues se i pari.

XS
SM
MD
LG