Lidhje

Llalla: Goditja e korrupsionit është prioriteti im


Intervistë me Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla

Prokurori i ri i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, thotë se ka marrë përsipër të reformojë dhe të modernizojë punën hetimore kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjatë intervistës së tij të parë në këtë detyrë, zoti Llalla tha për “Zërin e Amerikës” se goditja e korrupsionit është detyra kryesore e punës së tij.

Ai tha se do të maksimalizojë dënimet e kriminelëve, duke mbledhur me kujdes provat e krimit, dhe duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e tjera. Zoti Llalla deklaroi se nuk ka patur asnjëherë presione politike dhe se çdo politikan apo zyrtar i lartë do të detyrohet sipas ligjit që të paraqitet para hetuesve, nëse hetohet për krime të dyshuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Llalla! Urime për detyrën e re si prokuror i përgjithshëm i Shqipërisë! Ju për shumë vjet keni drejtuar Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Sa mendoni se do t’ju ndihmojë kjo përvojë në punën e re për të ndëshkuar kriminalitetin?

Adriatik Llalla: Falemnderit për urimet dhe këtë intervistë! Është kënaqësi për mua që intervistën e parë në detyrën e prokurorit të përgjithshëm ta përcjell përmes valëve të “Zërit të Amrikës”, i cili më ka mbështetur në punën time të mëparshme. Besoj se kjo mbështetje do të vijojë edhe për periudhën që unë do të drejtoj këtë institucion. Periudha kur drejtova Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është vlerësuar pozitivisht për arritjet që pata si nga faktori vendas edhe nga ai ndërkombëtar. Besoj se ajo përvojë drejtimi do të më shërbejë shumë edhe në periudhën time këtu.



Zëri i Amerikës: Ju vazhdimisht nga Inspektoriati keni thënë që shumë dosje mbi pasuritë e pasakta ose mosdeklarime të pasurisë që keni konstatuar atje, janë shuar kur kanë ardhur këtu në prokurori. A do t’i jepet fund kësaj praktike të mos-hetimit të pasurive të dyshuara?

Adriatik Llalla: Ky është një fakt, të cilin unë e kam ngritur shpesh në media, në Kuvendin e Shqipërisë, në prokurori, kudo ku kam patur mundësi. Mjaft dosje të kallëzuara prej nesh për zyrtarë të niveleve të ndryshme të akuzuar për korrupsion të gjetura nga ana jonë në ILDKP, me fakte provuese se ata kishin kryer vepra penale në fushën e deklarimit ose mosdeklarimit të pasurive të krijuara në mënyrë të ligjshme, janë pushuar në mënyrë të padrejtë nga ana e prokurorisë. Dosjet e kallëzuara nga ILDKP-ja dhe nga institucione të tjera shtetërore dhe joshtetërore, kur bëhet fjalë për korrupsionin, do të hetohen me përparësi dhe do të kërkohet ndëshkimi i gjithë shkelësve të ligjit në bazë të dispozitave që parashikon Kodi Penal.

Zëri i Amerikës: Pasuritë e shtuara dhe pasuritë e dyshuara të politikanëve janë vazhdimisht në vëmendjen e qytetarëve dhe është krijuar përshtypja se sapo nis të ndriçohet diçka, hetimet ndalojnë menjëherë. Çfarë hapash do të ndërmerrni përballë pasurive të pajustifikuara, që ka të dhëna që disponojnë zyrtarë të të gjitha niveleve, nëpunës të vegjël apo zyrtarë të lartë?

Adriatik Llalla: Korrupsioni është një problem shqetësues për shoqërinë shqiptare. Kjo u evidentua edhe nga të dhënat e fundit të publikuara nga Transparency International, ku Shqipëria renditej disa vende më poshtë. Nuk e themi vetëm ne këtë fakt. Gjatë drejtimit tim të këtij institucioni do të punoj me përparësi, që rastet e korrupsionit të hetohen në mënyrë të plotë e të gjithanshme dhe fajtorët do të ndëshkohen me forcën e ligjit në çdo rast.

Zëri i Amerikës: Qytetarët kanë një perceptim shumë negativ për cilësinë e punës në sistemin e drejtësisë, gjykatësit, prokurorët, avokatët. Kryesisht ky perceptim vjen prej faktit se nuk dënohen zyrtarë të lartë.

Adriatik Llalla: Ky është një tjetër problem shqetësues për shoqërinë tonë. Unë do ta filloj punën time me reformimin e institucionit të prokurorisë. Në institucionin tonë ka mjaft prokurorë që nuk e meritojnë që të jenë prokurorë, që nuk duhet të gëzojnë statusin e prokurorit sepse janë vetë shkelës të ligjit. Unë do të punoj për evidentimin e tyre, dhe largimin nga rradhët e institucionit të këtyre prokurorëve, për arsye se kjo pakicë prokurorësh njollosin emrin e institucionit, si dhe pengojnë pjesën më të madhe të prokurorëve të cilët janë të përkushtuar ndaj punës, pra punojnë në mënyrën e duhur.

Zëri i Amerikës: Si do ta bëni këtë vetëpastrim? Keni thënë që në ditët e para të këtij dekretimi të punës së re, që do të pastroni rradhët e prokurorisë.

Adriatik Llalla: Gjykoj se nuk është një punë e vështirë. Evidentimi i këtyre prokurorëve është i lehtë, aq më tepër në shoqërinë tonë ku këta njihen nga vetë trupa e prokurorëve. Mbi bazën e informacioneve, unë do të nxit publikun e interesuar, që ka punë me prokurorinë, që të denoncojnë pranë zyrës së prokurorit të përgjithshëm të gjithë rastet e prokurorëve që kryejnë shkelje të ligjit. Këta prokurorë do të hetohen nga zyra përkatëse e prokurorit të përgjithshëm. Po ashtu, qysh nesër institucioni ynë do të hapë një adresë të postës elektronike, ku gjithë qytetarët do të denoncojnë rastet e korrupsionit si në rradhët e prokurorisë ashtu edhe gjithë sistemin e drejtësisë, edhe më tej. Të gjithë rastet normalisht do të hetohen në mënyrë transparente. Në përfundim të hetimit gjykoj se një pjesë e madhe e tyre do të ndëshkohen ose do të largohen vetë nga rradhët e prokurorisë.

Zëri i Amerikës: Presidenti Nishani në fjalimet e para të tij në Këshillin e Lartë të Drejtësisë i sapo zgjedhur president dhe në krye të KLD-së, ka thënë që do përpiqet të kthejë besimin në sistemin e drejtësisë prej vetë njerëzve të drejtësisë. Ai ka konstatuar që shumë gjyqtarë dhe aktorë të tjerë të sistemit të drejtësisë punojnë pa dëshirë dhe nuk kanë besim tek ky sistem, ose janë shumë passive, ose punojnë me frikë në goditjen e kriminalitetit dhe ekziston një mendësi e përgjithshme në Shqipëri, që krimi është më i fuqishëm se shteti. Si do t’ua ktheni ju kurajon e prokurorëve që ata vetë të besojnë tek sistemi i drejtësisë?

Adriatik Llalla: Së pari do të largoj nga institucioni ynë ata prokurorë ata drejtues të prokurorisë në qendër ose në rrethe, të cilët nuk justifikojnë qëndrimin tyre në institucion. Duke motivuar personat e përgjegjshëm në Shqipëri në bazë të ligjit. Në sistemin e drejtësisë ka shumë punonjës, gjyqtarë dhe prokurorë të përkushtuar në punën e tyre, të cilët demoralizohen për shkak se një pakicë e tyre janë vetë të përfshirë në veprat penale. Ata që njollosin emrin e drejtësisë së shtetit në Shqipëri, e cila do të reformohet, e them me siguri se do të reformohet shumë shpejt.

Zëri i Amerikës: Si do të bëhet specializimi i strukturës së prokurorëve, prokurorë ekspertë në krime te reja moderne? Bota e krimit zhvillohet me shpejtësi, po bashkëpunimi me institucionet e tjera ku është?

Adriatik Llalla: Do të vendos marrëdhëniet e parashikuara në ligj, marrëdhënie të mira bashkëpunuese me të gjithë institucionet përgjegjëse të luftës kundër krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Duke filluar nga policia e shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ILDKP, doganat, tatimet, dhe gjithë institucionet e tjera përgjegjëse në këtë fushë. Më pas edhe me zyrat e shteteve homologe si Italia, Greqia, Anglia etj, pra, me vendet me të cilat kemi më shumë punë, sepse krimi i shtetasve shqiptarë është më i përhapur se sa në vendet e tjera. Është shumë i rëndësishëm edhe trajnimi i stafeve të prokurorëve. Një pjesë e madhe e trupës së prokurorëve vijnë nga shkolla e magjstraturës dhe nga shkolla të perëndimit, duke sjellë risi në punën e institucionit tonë. Unë mbështes këtë pjesë të prokurorëve.

Zëri i Amerikës: Cilët janë krimet që mbizotëojnë në Shqipëri, kundër pronës, kundër personit dhe cilët prej tyre janë përparësia juaj?

Adriatik Llalla: Përparësia ime do të jetë lufta kundër korrupsionit. Korrupsioni është një dukuri e përhapur në Shqipëri dhe nxit të gjithë qytetarët, mediat, opinionin publik dhe të gjithë të interesuarit që të denoncojnë në prokurori dhe në zyrën e prokurorit të përgjithshëm të gjitha rastet e korrupsionit. Do të hetohen pa dallim të gjithë rastet e veprave penale, por përparësia ime do të jetë lufta ndaj korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Zyrtarë të lartë civilë dhe ushtarakë janë të përfshirë në procese gjyqësore si ai i Gërdecit. Si e mendoni vazhdimin dhe mbylljen e kësaj çështjeje?

Adriatik Llalla: Unë jam në ditët e para të marrjes së detyrës. Jam duke grumbulluar informacionin në lidhje me këto çështje të rëndësishme dhe të ndjeshme për opinionin publik. Do të mbështes punën e prokurorëve të bërë deri tani lidhur me hetimin dhe gjykimin e këtyre rasteve, dhe po ndjek me përparësi ato. Po kështu, lidhur me hetimet që kanë mbetur pezull lidhur me dy, me një pjesë të aktorëve të ngjarjes së Gërdecit, po ashtu edhe të 21 janarit.

Zëri i Amerikës: 21 janari është një tjetër ngjarje flagrante që njerëzit e panë drejtpërdrejt në televizion. Shumë qytetarë mendojnë se drejtësia është e pafuqishme të dënojë zyrtarë të lartë të përfshirë në ngjarje të tilla, apo edhe politikanë të lartë të akuzuar nga mazhoranca apo nga opozita. Pse vonohet drejtësia në ngjarje kaq flagrante, kur protagonistët janë në vendngjarje, lënë gjurmë të shumta aty?

Adriatik Llalla: Hetime të tilla janë të rëndësishme të kryhen si duhet qysh në çastet e para. Ne do të veprojmë me përparësi në ngjarje të tilla dhe unë synoj që të gjithë përgjegjësit e këtyre ngjarjeve do të hetohen dhe ju siguroj se do të ndëshkohen sipas ligjit.

Zëri i Amerikës: Puna juaj e re do t’ju vendosë përballë presioneve të reja. Sa të parapërgatitur e ndjeni veten për t’u përballur me presionet politike?

Adriatik Llalla: Nisur nga përvoja e mëparshme në ILDKP, e them me bindje të plotë, që nëse drejtuesi i një institucioni nuk i afrohet politikës, por kryen detyrën e parashikuar nga ligji, asgjë nuk ndodh. Kam bindjen që politika nuk do të guxojë t’i bëjë presione institucionit të prokurorisë. Ky është një institucion i rëndësishëm shtetëror. Ligji i ka dhënë kompetencat e duhura që të mbajë qëndrimin e duhur ligjor, pa u bërë palë ose pa u nënshtruar nga politika. Kam bindjen që politikanët nuk do të guxojnë t’i afrohen pozicionit të prokurorit të përgjithshëm për t’i bërë presion, ose ndërhyrje në forma nga më të ndryshmet.

Zëri i Amerikës: A do të nisni ju vetë hetime kryesisht bazuar në të dhëna për krim dhe korrupsion? Edhe qytetarët shqiptarë edhe Bashkimi Europian kërkojnë që të dënohen zyrtarë të lartë të përzier në korrupsion.

Adriatik Llalla: Kjo është një nga risitë që synoj të sjell në punën e prokurorisë; stimulimi i qytetarëve, medias dhe të interesuarve që të denoncojnë çdo rast për vepra të ndryshme penale. Nga nesër në institucionin tonë hapet një adresë elektronike postare, ku kushdo mund të denoncojë çdo rast të veprave të ndryshme penale, të cilat do të trajtohen me përparësi nga institucioni ynë. Një përparësi tjetër është rritja e masës së dënimit. Konstatohet se autorë të ndryshëm të veprave penale dënohen me masa minimale dënimi. Trafikantët e bimëve narkotike dënohen me masa qesharake, apo armë-mbajtja pa leje. Këtej e tutje prokuroria do të kërkojë që ndaj tyre të mbahet një qëndrim më i ashpër për masën e dënimit.

Zëri i Amerikës: Është krijuar edhe një zakon i keq, që politikanë dhe zyrtarë të lartë nuk i përgjigjen në kohë kërkesave të prokurorëve për hetime. A do t’i jepni fund praktikës së mosardhjes së politikanëve dhe zyrtarëve në prokurori për t’ju përgjigjur hetimeve?

Adriatik Llalla: Ligji ka të përcaktuar saktë detyrimin që ka çdo shtetas, çdo zyrtar, përfshi edhe më të lartin, për t’u paraqitur në zyrën e prokurorit për të dhënë shpjegime, ose sa herë që thirret prej tij. Askush nuk guxon t’i shmanget kësaj përgjegjësie, sepse ligji parashikon masa nga më të ndryshmet për ata që refuzojnë. Prokuroria ka të gjithë kompetencat që të thërassë, të kryejë hetime lidhur me çdo zyrtar pa përpjashtim, duke përfshirë qysh nga Presidenti i Republikës dhe deri tek qytetari më i thjeshtë. Gjatë kohës që unë e drejtoj këtë institucion askush nuk do të guxojë nga zyrtarët që t’i shmanget ligjit, duke mos ardhur për të dhënë shpjegime këtu. Parlamenti ka hequr imunitetin çdo zyrtari, duke shprehur vullnetin e tij, por fakti që deri tani ndaj askujt nuk është filluar as edhe një hetim tregon për një dobësi të institucionit të prokurorisë. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se krime të natyrës së korrupsionit zyrtarët shqiptarë kryejnë çdo ditë. Do të ndjek personalisht çdo informacion nga qytetarët, do të hap hetime kryesisht për çdo rast mbi dyshimet për korrupsion lidhur me çdo zyrtar. Secili, kur të bëjë një krim në fushën e korrupsionit, duhet të mendohet mirë, sepse ky institucion ka për ta ndëshkuar me forcën e ligit.

Zëri i Amerikës: Pra, vitin tjetër - 2013, drejtësia shqiptare do të ketë një cilësi dhe një pamje të re?

Adriatik Llalla: Unë kam ardhur këtu me vullnetin e pothuaj të gjithë politikës shqiptare. Kandidatura ime është mbështetur nga pothuaj të gjithë faktorët politikë. Kjo më vë përpara një përgjegjësie të madhe përpara faktorit politik vendas dhe atij ndërkombëtar. Është një mbështetje dhe një përgjegjësi që unë do ta justifikoj në mënyrën e parashikuar në ligj. Kam bindjen se do ta përmbush në mënyrën më korrekte këtë detyrë që kam marrë përsipër dhe që më është ngarkuar nga ligjvënësi.
XS
SM
MD
LG