Lidhje

Afganistan, ditë zie për viktimat e rrëshqitjes së dheut


Në Afganistan sot është ditë zie kombëtare, ndërkohë që vazhdojnë kërkimet për më shumë viktima nga rrëshqitja vdekjeprurëse e dheut që vrau qindra njerëz në provincën Badakhshan.

Fshatarët sot mbajtën vigjilje ndërkohë që automjetet e rënda po përdoren në përpjekjet për të gjetur viktimat e tjera të rreshqitjes së dheut që ndodhi të premten.

Shumë prej të mbijetuarve të cilët kanë humbur gjithçka thonë se po ndeshen me vështirësi në përpjekjet për të gjetur strehim.

"Jam një nga të mbijetuarit që u nxorrën nga balta. Tani për tani ne kemi nevojë për çadra për t’u strehuar dhe mbrojtur nga shiu. Rreth 700 shtëpi kërcënohen nga përmbytjet dhe rrëshqitja e dheut. Në këtë zonë ekziston frika e përmbytjeve sepse uji mund të vërshojë këtu nga katër lugina përreth. Nëse ka vërshime, i tërë fshati do të mund të mbulohej nga uji," thotë Jaan Mohammad, një i mbijetuar.

Fshatarët e zhvendosur janë duke pritur me padurim grupet e ndihmës ndërkombëtare për të tejkaluar një nga katastrofat më të rënda që ka goditur rajonin në kohët e fundit.

Richard Danziger është një nga aktivistët e përfshirë:

"Ne dhe organizatat e tjera ndërkombëtare kemi sjell batanije, sende shtëpiake dhe ndriçues diellor. Edhe disa organizata të tjera joqeveritare dhe agjenci të OKB-së po sjellin tenda, ushqime, artikuj të higjienës dhe sende të tjera. Problemi nuk është dhënia e kësaj ndihme të menjëhershme për të mbijetuarit. Tani, ne do të punojmë për të ndihmuar personat e zhvendosur përkohësisht që të sigurojmë mirëqënien e tyre".

Ndërsa dhënia e ndihmës adekuate dhe strehimi janë nevoja imediate, zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare të Personave të Zhvendosur thotë se, në planin afatgjatë, ata duan të përqëndrohen në përpjekjet për të ndihmuar fshatarët që të parandalojnë këto fatkeqësi, nëse është e mundur.

XS
SM
MD
LG