Lidhje

Kryengritësit që kryen sulmin në Afganistan ishin të veshur me uniformën e ushtrisë amerikane


Zyrtarë të koalicionit ndërkombëtar thonë se kryengritësit që sulmuan të premten një bazë ushtarake britanike në Afganistan, ku vranë dy marinsa amerikanë, ishin të veshur me uniformën e ushtrisë amerikane dhe ishin të armatosur me armë automatike, me granada hedhëse dhe me xhaketa me eksploziv.

Koalicioni njoftoi sot me anë të një deklarate se 15 militantë ishin organizuar në 3 ekipe dhe "ekzekutuan sulmit më se të bashkërenduar" kundër Kampit Bastion në provincën e Helmandit.

Aleanca tha se sulmuesit shkatërruan 6 avionë të llojit Harrier dhe "dëmtuan rëndë" dy të tjerë. Militantët shkatërruan gjithashtu 3 pika rifurnizimi të koalicionit dhe dëmtuan 6 hangarë aeroplanësh.

Trupat ndërkombëtare vranë 14 prej kryengritësve dhe plagosën një tjetër, të cilin e kanë nën arrest. Më pare u njoftua se 18 militantë ishin vrarë nga sulmi.

Talebanët morën përgjegjësinë për sulmin. Një zëdhënës i grupit militant tha dje se sulmi ishte si përgjigje ndaj filmit të krijuar në Shtetet e Bashkuara, ku fyhet profeti Muhamed, dhe ngaqë Princi Harry i Britanisë shërben në atë bazë.

Disa anëtarë të trupave të koalicionit u plagosën në këtë sulm. Zyrtarët thanë se princi Harry, i cili është i treti në radhë për fronin e Britanisë, nuk u ndodh asnjëherë në rrezik gjatë sulmit. Ai ndodhet në bazën ushtarake me misionin e pilotit të helikopterit. Talebanët janë zotuar ta vrasin princin.
XS
SM
MD
LG