Kandidati presidencial afgan Abdullah Abdullah thotë se ai e refuzon një auditim të votave të kryesuar nga OKB i cili synon të qartësojë fituesin e zgjedhjeve të balotazhit të 14 qershorit.
Presidenti Barack Obama i telefonoi zotit Abdullah dhe rivalit të tij Ashraf Ghani gjatë fundjavës për t’i bërë thirrje kandidatëve të pranojnë rezultatet e auditimit dhe për të bërë një farë kompromisi politik.
Por zoti Abdullah këmbënguli sot se ai ka fituar votën kombëtare dhe tha se bisedimet me zotin Ghani për formimin e një qeverie të unitetit janë bllokuar.
Auditimi përfundoi më 5 shtator. Rezultatet përfundimtare nuk janë publikuar ende.
Komuniteti ndërkombëtar, që mbështet në pjesën më të madhe Afganistanin si financiarisht edhe ushtarakisht, është i shqetësuar se një ngërç politik mund të çojë në ndarje të rrezikshme dhe protesta në vend.