Lidhje

Viktima amerikane në sulmin e Kabulit


Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se në sulmin e kryer nga talebanët në një hotel luksoz në kryeqytetin e Afganistanit Kabul, janë vrarë e plagosur edhe shtetas amerikanë.

"Sulmi ndaj hotelit, edhe një herë, tregon frymën mizore të terroristëve që duan të mbjellin kaos. Mjerisht, mund të konfirmojmë se në mesin e viktimave ka edhe shtetas amerikanë", tha të martën zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert.

Nauert nuk tha se për sa amerikanë të vrarë ose të plagosur bëhet fjalë, por theksoi se qeveria e Shteteve të Bashkuara është në kontakt të afërt me autoritetet afgane lidhur me hetimin dhe Uashingtoni mbështet qeverinë e Kabulit.

Forcat qeveritare afgane përfunduan një rrethim njëditor në hotelin Interkontinental të Kabulit, që rezultoi me të paktën 22 të vrarë, përfshirë vdekjen e 14 shtetasve të huaj.

"Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet tona amerikane dhe për të gjitha viktimat e sulmit," tha Nauert, duke shtuar se Uashingtoni është mirënjohës ndaj forcave afgane të sigurisë për përpjekjet e tyre të shpëtimit.

Rrethimi i hotelit zgjati 14 orë. Gjashtë personat që sulmuan ose hodhën veten në erë ose u vranë nga forcat afgane.

XS
SM
MD
LG