Lidhje

Afganistan: Protesta kundër filmit anti-mysliman


Në kryeqytetin afgan, Kabul, qindra veta dogjën makina dhe hodhën gurë në një bazë ushtarake amerikane gjatë një proteste sot paradite kundër një filmi anti-mysliman që ve në lojë Profetin Muhamed. E hëna ishte dita e katërt e protestave afgane kundër filmit me buxhet të vogël të prodhuar në Kaliforni.

Në rrugën Xhelalabad - një ndër kryesoret në qendër të Kabulit, ajri ishte plot me shtëllunga tymi për shkak të gomave që digjeshin.

Të paktën një automjet policie u dogj nga turma, sipas shefit të policisë për Kabulin. Njerëzit merrnin gurë nga rruga dhe i hidhnin në drejtim të kampit Phoenix, një bazë ushtarake amerikane që shtrihet përgjatë rrugës.

"Të pabesët duhet të korrigjohen, përndryshe ne do të vazhdojmë të protestojmë dhe jemi gati të sakrifikohemi siç na mëson Islami”, thotë ky protestues.

Në qendër të qytetit policia shtiu në ajër për të frenuar rreth 800 njerëz dhe për të mos i lejuar të marshonin drejt ndërtesave qeveritare.

"Më shumë se 20 nga ushtarët e mij janë plagosur nga gurët, në kokë dhe në këmbë," thotë komandanti i forcës së reagimit të shpejtë, Fahim Qaim.

Në pjesën juglindore të Kabulit, rreth 50 protestues u mblodhën para një xhamie, duke thirrur "Vdekje Amerikës", por nuk pati dhunë. Sot ishte dita e katërt e protestave afgane kundër filmit.

Qeveria afgane ka bllokuar faqen e internetit YouTube për të mos lejuar afganët të shikojnë klipin e filmit anti-mysliman. Zyrtarët kanë thënë se ajo do të mbetet e bllokuar deri sa të hiqet videoja.
XS
SM
MD
LG