Lidhje

Sulm me shumë viktima në Kabul


Një grup i kryengritësve talibanë, kreu një sulm të armatosur në kryeqytetin afgan, duke lënë pas vetes të paktën 28 të vrarë dhe mbi 300 të plagosur.

Shefi i policisë në Kabul, Abdul Rahman Rahimi, tha se në mesin e viktimave ka civilë dhe pjesëtarë forcave afgane të sigurisë.

Sulmi ishte drejtuar ndaj një ndërtese, që sipas autoriteteve, shfrytëzohet nga njësitë e posaçme afgane të sigurisë, përgjegjëse për mbrojtjen e zyrtarëve qeveritarë. Sulmi filloi rreth orës 9 të mëngjesit sipas kohës lokale nga një sulmues vetëvrasës që shpërtheu makinën e mbushur me eksplozivë.

Shpërthimi i pasua nga një shkëmbim zjarri ndërmjet sulmuesve dhe forcave afgane të sigurisë.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, e dënoi sulmin "me fjalët më të ashpra të mundshme", ndërsa theksoi se shumë njerëz janë vrarë dhe plagosur.

Ai tha se sulmi "qartazi dëshmon dështimin e armikut për t'u përballur në betejë të hapur" me forcat afgane të sigurisë.

Zëdhënësi i Talibanëve, Zabihullah Mujahid, në një komunikatë dërguar gazetarëve, mori përsipër përgjegjësinë për sulmin. Ai vuri në shënjestër zyrat e agjencisë afgane të zbulimit, tha ai, duke e cilësuar atë si një nga "organet më brutale dhe jonjerëzore" të qeverisë së Kabulit.

Ai tha se luftëtarët talibanë i kanë shkaktuar humbje të mëdha armikut dhe shpërthimi me makinën bombë, ka shkatërruar pjesë të ndërtesës.

Sulmi pasoi shtimin e sulmeve të talibanëve në më shumë se 15 qytete të Afganistanit, si pjesë e ofensivës pranverore të kryengritësve talibanë.

XS
SM
MD
LG