Lidhje

Ligjet liberale mbi abortin në Afrikën e Jugut përballen me stigmën


Aborti është i ligjshëm në Afrikën e Jugut deri në javën e 20-të të shtatzanisë. Një procedurë e tillë ofrohet falas në klinikat qeveritare. Megjithatë kryerja e një aborti të sigurt dhe ligjor mbetet një sfidë. Shumë gra që duan të abortojnë përballen me një stigmë të fortë, apo me rezistencë, nga punonjësit e shërbimit shëndetësor, të cilët kundërshtojnë ta kryejnë atë. Si rezultat, më shumë se gjysma e aborteve në Afrikën e Jugut kryhen në mënyrë sekrete dhe nga persona të paliçensuar. Në qytetin minerar të Rustenburg-ut dhe zonat përreth tij, problemi është bërë kaq serioz, sa organizata "Mjekët pa Kufij" ka ngritur një klinikë të posaçme për ta trajtuar këtë çështje. Korrespondetja e “Zërit të Amerikës” Anita Powell raporton nga zona.

Precious, siç na kërkoi ajo që ta thërrasim, është shtatzënë prej 16 javësh. Por, i dashuri i saj ka lënë shtatzanë edhe shoqen e saj të ngushtë. Kjo ngjarje e ka shokuar aq shumë sa vendosi të marrë një hap të vështirë.

"Dua që kjo të ndodhë sa më shpejt, pasi nuk mundem më. E kam mendjen tek ajo që ndodhi nuk mund mendoj dot për gjëra pozitive. Nëse kjo gjë dështon, mendoj se çfarë duhet të bëj? A duhet t’i jap fund jetës?!" thotë Precious, paciente.

Precious, thotë se është përballuar me mosmiratim dhe ndenjë turpi në qytetin ku jeton dhe studion, në Johanesburg. Ajo u detyrua të shkojë rreth dy orë më larg, në qytetin minerar të Rustenburg-ut, në një klinikë për shërbimet riprodhuese drejtuar nga grupi i ndihmës "Mjekët pa Kufij".

"Thjesht u thashë, dua të abortoj. Ata thanë jo. Atje ishin dy infermierë dhe më e madhja në moshë më tha: falenderoj Zotin që nuk jam trajnuar për këtë, ndërsa tjetra tha duhet të kthehesh në vendin tënd dhe ta bësh atje. Pastaj patëm një mosmarrëveshje rreth asaj se veprimi im ishte kundër Zotit dhe gjëra të tjera si këto”, tregon Precious.

Mbrojtësit e shëndetit riprodhues thonë se biseda si këto i detyrojnë çdo vit më shumë se 10,000 gra në Afrikën e Jugut ta kryejnë në mënyrë sekrete abortin. Departamenti i Shëndetësisë thotë se aborte të tilla të paligjshme përbëjnë deri në 25 përqind të vdekjeve për shkak të infenksioneve.

Kgaladi Mphahlele, i cili drejton projektin e "Mjekëve pa Kufij", thotë se kërkesa për shërbimet e klinikës është e lartë.

Sipas tij, çdo muaj kryhen deri në 100 aborte në tremujorit e parë të shtatzanisë dhe në klinikë vijnë gra nga zona të largëta si Botsvana, ku aborti është i paligjshëm.

"Shoh pas dhe them pse iu futa këtij profesioni? Doja të bëhesha një ofrues i kujdesit shëndetësor sepse kam dëshirë të ndihmoj njerëzit. Pastaj sheh një hendek dhe kjo është pjesë e shërbimit të kujdesit shëndetësor dhe nëse askush nuk e bën, dikush duhet që ta bëjë, dhe mua më pëlqen të punoj me njerëzit", thotë ai.

Infermierja Christa Tsomele ka kryer aborte për një dekadë dhe thotë se është krenare për punën e saj. Ajo thotë se disa nga kolegët e saj po kontribuojnë në stigmën mbi abortin, por edhe më keq.

"Nëse nuk mund të ndihmosh një pacient thjesht drejtoje në vendin e duhur në mënyrë që pacienti të marrë ndihmë. Mos i thoni thjesht: jo nuk e bëj dot dhe ta lini pa zgjidhje. Kjo është arsyeja pse përfundojnë të zgjedhin rrugë të paligjshme. Sepse kur i lini pa një rrugë-dalje, ajo do të shkojë në rrugë, ku dhe do të vdesë", thotë Christa Tsomele, infermiere

Sipas saj është kjo gjë që e bën atë të shohë përpara mes paragjykimet, lotësh dhe historish të vështira që dëgjon çdo ditë. Sepse siç thotë Christa, pavarësisht nëse njerëzit pajtohen ose jo me punën e saj që shpëton jetë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG