Lidhje

Afrika e Jugut, grevat e paligjshme dhe punëtorët jozyrtarë


Ndërsa grevat vazhdojnë në sektorin e minierave të Afrikës së Jugut dhe ndërsa minierat pushojnë nga puna dhjetra mijëra grevistë, pyetja shtrohet, si po mbijetojnë këto kompani? Përgjigja janë kompanitë ndërmjetësuese, të cilat gjejnë punëtorë me kontratë, që mbushin vakumin e krijuar. Sindikatat kanë luftuar për t’i nxjerrë jashtë ligjit praktikat e ndërmjetësimit të punës, por këto kompani ndërmjetësuese thonë se ato luajnë rol kritik në një vend me ligje të ashpra pune dhe me një forcë punëtore të pakualifikuar. Anita Powell njofton nga Johanesburgu rreth rolit të këtyre kompanive në ekonominë e Afrikës së Jugut.

Kompania e minierave Fushat e Arit në Afrikën e Jugut pushoi nga puna 8,500 punëtorë pas disa javë grevash të paligjshme.

Punëtorët shpresonin të siguronin kushte më të mira jetese e pune si dhe pagesë më të mirë. Por realiteti i ashpër është se ekzistojnë shumë punëtorë të tjerë, si grevistët, të gatshëm të zënë vendin e tyre të punës.

Në fakt, kompani të mëdha kanë rezerva të mëdha punëtorësh, që mund t’i marrin në punë menjëherë.Kompanitë i gjejnë këta zëvëndësues nëpërmjet kompanive ndërmjetësuese, të cilat gjejnë fuqi punëtore për të mbushur vakumin e krijuar nga punëtorët që hidhen në grevë. Metodat e ndërmjetësve janë të thjeshta: ata shkojnë me kamionë në zona të ndryshme dhe sjellin në minierë njerëz që duan të punojnë.
Kontratat afat-shkurtëra për këta punëtorë nuk u japin atyre të njëjtin status ligjor, që kanë punëtorët e përhershëm, megjithëse herë herë ata bëjnë të njëjtën punë. Pronarët e minierave paguajnë kompanitë ndërmjetësuese, të cilat paguajnë punëtorët e përkohshëm.

Kongresi i Sindikatave Punëtore të Afrikës së Jugut njoftoi këtë vit se vendi ka rreth 980 mijë punëtorë, që merren në punë nga kompani ndërmjetësuese dhe deri në 30 për qind e fuqisë punëtore është e angazhuar në një loj pune të tillë, që nuk mbrohet nga ligjet e punës.

Lesiba Seshoka i Sindikatës Kombëtare të Minatorëve thotë se sistemi është i prirur të abuzojë. Ai thotë se punëtorë të tillë kërcënohen të pushohen nga puna nëse bëhen anëtarë sindikate, madje ai thotë se ndërmjetësuesit mbajnë një pjesë të mirë të shumave që paguhen nga minierat.

Zoti Seshoka thotë se të gjitha kompanitë e minierave, që janë përballur me greva, kanë marrë në punë punëtorë të ndërmjetësuar. Sindikata e tij dhe federata më e madhe e punëtorëve kanë luftuar, por pa sukses, për të jashtëligjësuar praktikën e kompanive ndërmjetësuese.

“Në një mënyrë apo një tjetër ata skllavërojnë shumicën e punëtorëve sepse një kompani ndërmjetësuese i merr ata në punë për një kompani tjetër. Ata punojnë për një kompani, por paguhen nga kompania ndërmjetësuese në industrinë e minierave. Kjo është problematike sepse kompania për shembull paguan 4,000 për punëtorët dhe i jep kompanisë ndërmjetësuese të njëtën shumë, e cila i paguan punëtorët vetëm 2,000 ose 2,500. Kjo është problematike sepse nuk na ndihmon që të rrisim rrogat”.

Basil Skopelitis është zyrtar i lartë në kompaninë ndërmjetësuese Ziyabuya me bazë në Johanesburg, e cila përqëndrohet në industrinë e ndërtimit dhe vitin e kaluar u ka gjetur punë 600 deri në 800 punëtorëve.

Ai thotë se dy aspekte e bëjnë kompaninë e tij të domosdoshme: Ligjet e ashpra të punës në Afrikën e Jugut, të cilat i detyrojnë punëdhënësit të mbajnë punëtorë jo të kualifikuar, dhe një mungesë e përgjithshme e punëtorëve të kualifikuar dhe të mirë arsimuar.

Ai thotë se kompania e tij luan një rol të vlefshëm, duke u gjetur punë punëtorëve të pakualifiakuar, që kanë shumë nevojë për to, megjithatë ai thotë se ekzistojnë kompani ndërmjetësuese, që nuk bëjnë punë të mirë.

“Nuk po them se të gjitha kompanitë ndërmjetësuese janë engjëj, sepse unë i njoh ato fare mirë, por unë mendoj se nëse kompanitë ndërmjetësuese funksionojnë në bazë të disa rregullave, qeveria mund t’i përdorë ato si mjet për të ndihmuar në sigurimin e një grupi të madh njerëzish të papunë në këtë vend”.

Kompania Lonmin, miniera gjigande e platinit, punëtorët e së cilës shkaktuan fillimin e grevave zinxhir në muajin gusht, thotë se gati 40 për qind e fuqisë së saj punëtore janë punëtorë me kontratë. Zëdhënësja Sue Vey thotë se kompania ka 11 mijë kontraktorë dhe 28 mijë punëtorë të përhershëm.

Megjithë opozitën që ekziston ndaj kësaj praktike, të dhënat e papunësisë në Afrikën e Jugut dhe ligjet e ashpra të punës duket se shtojnë kërkesën për punëtorë të përkohshëm. Qeveria llogarit se gati një e katërta e jug-afrikanëve janë të papunë.
Kompanitë ndërmjetësuese i japing një përgjigje kësaj pyetjeje të vështirë: në një treg, ku ka më shumë punëtorë se sa vende pune, a është më mirë të kesh një punë, jo të përsosur, apo të mos kesh fare punë?

Por ndërsa hapen dhjetra mijëra vende pune në miniera, si pasojë e pushimit nga puna të minatorëve grevistë, shumë jug-afrikanë të papunë mund ta gjejnë veten shumë shpejt duke bërë pikërisht këtë zgjedhje.
XS
SM
MD
LG