Lidhje

Afrikë e Jugut: Mbi 30 minatorë të vrarë gjatë përleshjeve me policinë


Punonjësit në minierën e Lonmimit ishin në grevë pas mosmarrëveshjeve për pagat

Ministria e rendit në Afrikën e Jugut tha se të paktën 34 vetë u vranë dhe 78 të tjerë u plagosën dje kur policia hapi zjarr mbi punonjësit në grevë në një minierë platini. Rreth 3 mijë punonjës ishin në grevë që nga java e kaluar pas mosmarrëveshjeve për pagat, çka solli përleshje mes tyre e forcave të policisë. Ngjarja ka ndodhur në minierën e Lonminit, miniera e tretë më e madhe në botë për prodhimin e platinit.

Të afërm të minatorëve që nuk dihet nëse janë gjallë apo kanë humbur jetën mbas përleshjeve të djeshme, u mblodhën sot në vendngjarje duke shpresuar se do të marrin ndonjë lajm për njerëzit e tyre. Bashkëshortja e njërit prej minatorëve që mungojnë thotë:

“Bashkëshorti im u nis dje në orën 7 të mëngjesit për t’iu bashkuar protestës dhe nuk është kthyer më në shtëpi. Erdha këtu mëngjesin e sotëm dhe policia nuk po më thotë ende se ku është ai”.

Shefi i policisë kombëtare të Afrikës së Jugut tha se forcat e rendit hapën zjarr për vetmbrojtje kundër minatorëve grevistë. Ai tha se paraprakisht forcat policore përdorën bomba tymëse dhe ujë për të shpërndarë minatorët. Sipas shefit të policisë afrikane rreth 259 njerëz janë arrestuar në lidhje me përleshjet në minierën e Lonminit, rreth 120 kilometra në veriperëndim të Johannesburgut.

Firma që drejton minierën tha se disa prej grevistëve ishin të armatosur.
Dhuna e djeshme u parapri nga përleshje në fillim të javës ku u vranë 10 persona, dy prej tyre policë.

Sipas gazetës Star, 86 persona u plagosën gjatë përleshjeve të djeshme.
Rreth 3 mijë punonjës lanë punën javën e kaluar pas mosmarrëveshjeve për pagat. Drejtuesit e minierës së Lonminit nxorrën një deklaratë dje ku paralajmëronin punonjësit se do të pushoheshin nëse nuk ktheheshin në vendin e punës sot.

Disa prej grevistëve ishin të armatosur gjatë trazirave në fillim të kësaj jave, por nuk është e qartë nëse ishin ata që e nxitën dhunën e djeshme.

Partitë politike dhe sindikata e punonjësve ka bërë thirrje për një hetim të pavarur.
Miniera e Lonminit është miniera e tretë më e madhe në botë për prodhimin e platinit.

XS
SM
MD
LG