Lidhje

Agjencia amerikane e zbulimit vepron fshehurazi në Libi


Agjencia amerikane e zbulimit vepron fshehurazi në Libi
Agjencia amerikane e zbulimit vepron fshehurazi në Libi

Sipas njoftimeve, oficerët e CIA-s janë duke vepruar brenda Libisë. Por nuk është e qartë se cili është misioni i tyre, ndërsa agjencia e zbulimit, në përputhje me traditën e saj, nuk pranon të komentojë rreth njoftimeve.

Analistët thonë se nuk është për t’u çuditur që CIA është duke vepruar në Libi. Reva Balla, analist i Lindjes së Mesme për firmën private të zbulimit “Stratfor”, thotë se mbledhja e të dhënave është detyra themelore e CIA-s.

“Natyrisht, gjatë një fushate ushtarake si ajo në Libi, do të jetë e nevojshme të dërgohen njerëz në terren, për të identifikuar objektivat për sulme ajrore. Përveç ndihmesës ushtarake, oficerët e CIA-s mund të mësojnë se kush është opozita – se me kë kanë të bëjnë dhe e se a ka udhëheqës të zotë me potencial për të bashkuar këtë vend tejet të përçarë”.

Sipas njoftimeve të botuara, një numër i panjohur oficerësh të CIA-s, së bashku me punonjës të zbulimit britanik dhe homologët e forcave speciale, po bashkëpunojnë me kryengritësit libianë. CIA ka degën e vet paraushtarake, të njohur si Divizioni i Veprimtarive të Posaçme. Por se çfarë mund të jetë duke bërë CIA në Libi, përtej grumbullimit të të dhënave, është e paqartë.

Sipas të gjitha njoftimeve, forcat e opozitës libiane janë të stërvitura dhe të pajisura dobët. Administrata e Presidentit Obama ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do t’i armatosë kryengritësit.

Ish-oficeri i lartë i CIA-s, Emil Nakle, thotë se CIA mund të jetë duke ndihmuar kryengritësit në një tjetër mënyrë: duke bashkëpunuar me ta në aspektet e komunikimit dhe organizimit.

“CIA mund t’i pajisë kryengritësit me mjete komunikimi nga më të nevojshme, e deri te celularët më të avancuar. Po ashtu, CIA mund të ndihmojë në trajnimin e kryengritësve rreth mënyrës së kryerjes së sulmeve ose sesi të parashikojnë sulmet e Gadafit. Dihet mirëfilli se këta janë vetëm një grumbull njerëzish entuziastë që e kundërshtojnë regjimin, por që nuk kanë asnjë ide se si të organizohen”, thotë zoti Nakle.

Ai beson, megjithatë, se oficerët e CIA-s nuk e kanë të ndaluar të trajnojnë kryengritësit si të përdorin armët që ua kanë marrë forcave kundërshtare.

“Mendoj se mund të bëjmë shumë punë pa u dhënë atyre armë amerikane”, thotë zoti Nakle.

Por shumë analistë besojnë se për të kthyer rrjedhën e ngjarjeve në favor të kryengritësve, atyre u duhen armë të sofistikuara, si ato që Shtetet e Bashkuara u dhanë kryengritësve afganë që luftonin kundër pushtimit sovjetik në vitet ‘80, duke i trajnuar njëherësh edhe për përdorimin e tyre.

Disa njoftime të botuara citojnë burimet e administratës së Presidentit Obama se kreu i ekzekutivit amerikan nënshkroi një autorizim të fshehtë për trajnimin dhe armatosjen e mundshme të kryengritësve në të ardhmen.

Por një program i tillë mbart rreziqe të mëdha. Më 1961, një forcë e trajnuar nga CIA bëri një përpjekje të pasuksesshme për të rrëzuar regjimin e Fidel Kastros në Kubë. Ky qe një poshtërim për presidentin e atëhershëm, Xhon F. Kenedi.

Në vitet 1980, CIA, në bashkëpunim me Pakistanin, armatosi dhe trajnoi kryengritësit antisovjetikë në Afganistan. Kryengritësit, të njohur si muxhahedinë, e dëbuan ushtrinë sovjetike, por shumë prej tyre përbëjnë sot bërthamën e talebanëve dhe al-Kaidës. Ndërkaq, shumë armë të dhuruara nga amerikanët figurojnë si të pagjetura.

Reva Balla thotë se qeveritë e përfshira në koalicionin kundër Gadafit shqetësohen se skenarët e Kubës dhe Afganistanit mund të përsëriten, dhe kryengritësit mund të sdështojnë ose të infiltrohen nga islamistët radikalë.

Është e paqartë, thotë zoti Balla. Perëndimi druan se nëse furnizon kryengritësit me armë, mund të ketë pasoja negative.

Se çfarë do të bëjë përfundimisht CIA në Libi mund të mos dihet kurrë publikisht. Por, siç kanë vënë në dukje ish-oficerët e agjencisë, sa më i madh operacioni, aq më e vështirë është të mbahet i fshehtë.

XS
SM
MD
LG