Lidhje

Vrapim 5 kilometra gjatë agjërimit


Gjatë një mbrëmjeje vere, ndërsa dielli është ende mbi horizontin e Uashingtonit, njerëzit përgatiten për të bërë një vrapim prej 5 kilometrash për qëllime bamirësie. Por, këta pjesëmarrës nuk kanë pirë apo ngrënë asgjë që përpara agimit.

Quhet “Fasting 5K” – një aktivitet i përvitshëm bamirësie që zhvillohet gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, kur myslimanët agjërojnë që nga agimi dhe deri në perëndim të diellit. Ky aktivitetet, që filloi për herë të parë në Boston në vitin 2013, zhvillohet tashmë në 11 qytete të Amerikës së Veriut, ndër to edhe në Uashington, New York, Çikago, apo në Toronto të Kanadasë, me qëllim mbledhjen e fondeve për fuqizimin e organizatave të të rinjve.

“Kemi patur sukses në organizimin e këtij aktiviteti nëpërmjet të cilit ndihmojmë gjithnjë e më shumë njerëz. Solidariteti nuk është diçka që vetëm mund të thuhet. Duhen vepra. Kështu që ne vijmë këtu dhe vrapojmë për 5 kilometra si pjesë e një komuniteti të cilin e ndihmojmë me fondet që u nevojiten”, thotë pjesëmarrësi Viqar Hussein.

Trajektorja e vrapimit kalon përgjatë shëtitores kombëtare, që nga Kapitoli dhe deri tek Monumenti i Uashingtonit. Gara është e hapur për të gjithë dhe jo të gjithë pjesëmarrësit janë myslimanë. Madje vrapimi nuk është i detyrueshëm. Njerëz marrin pjesë pasi besojnë tek kauza.

“Bëjnë punë shumë të mirë. Unë iu bashkova pesë vjet më parë. Kjo është hera e tretë që vrapoj. Kontribuojnë shumë në veçanti për fëmijët, një kauzë që e kam për zemër”, thotë pjesëmarrësja Adeela Khan.

Çdo pjesëmarrësi i kërkohet të mbledhë 250 dollarë. Këtë vit, Farid Hussein mblodhi 17 mijë dollarë, kryesisht në zonën e Uashingtonit.

“Jam shumë i gëzuar që fitova, pasi është qartësisht një arritje për komunitetin. Kontribuan njerëz jo vetëm nga Uashingtoni, por nga i gjithë vendi. Është një nder dhe një punë në ekip”, thotë fituesi Farid Hussein.

Këtë vit morën pjesë 600 vetë nga 11 qytete dhe u mblodhën 102 mijë dollarë.

Fondet do të shpërndahen nëpërmjet Shoqatës Botërore për Vajzat dhe Djemtë Skautistë, si dhe grupime të tjera. Organizata “Poligon” nga Uashingtoni merr gjithashtu pjesë.

“Me fondet e mbledhura nga gara do të mundemi të ndihmojmë në përmirësimin e jetëve të të rinjve në mbarë vendin që përballen me islamofobinë apo ngacmimin”, thotë Wardah Rashid, e organizatës “Poligon”.

Ndërsa dielli fillon të perëndojë, pjesëmarrësit mund të fillojnë të falen dhe të ushqehen. Kjo traditë komunitare e Ramazanit është e shtrenjtë për myslimanët, kudo që ndodhen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG