Lidhje

Amnesty International akuzon Sirinë për tortura


Amnesty International akuzon Sirinë për tortura
Amnesty International akuzon Sirinë për tortura

Siria ka urdhëruar ambasadorët amerikan dhe francez të mos largohen nga Damasku pa leje, pasi ata shkaktuan zemërimin e qeverisë nga një vizitë këtë muaj në qytetin Hama.

Ministri i Jashtëm sirian Walid Moallem i bëri të njohura sot kufizimet për të dërguarin amerikan Robert Ford dhe atë francez Eric Chevallier. Ai tha se në se ata nuk e respektojnë vendimin, Siria do të ndalojë çdo udhëtim diplomatësh më tepër se 25 kilometra larg kryeqytetit. Ministri Moallem tha se Siria nuk i ka dëbuar dy ambasadorët, sepse dëshiron të ketë marrëdhënie më të mira me të dyja vendet në të ardhmen.

Ambasadorët Ford dhe Chevallier thonë se kishin shkuar në Hama për të shprehur solideritet me banorët, të cilët janë nën presionin e masave shtypëse të qeverisë ndaj disidentëve. Ndërkohë, aktivistët thanë se forcat siriane i vazhduan edhe sot masat shtypëse në disa zona, përfshi lagjet periferike të Damaskut.

Po sot, një organizatë e njohur e të drejtave të njeriut tha se dyshon se Siria ka torturuar dhjetra persona që u ndaluan fundjavën e kaluar, pas arrestimeve masive në periferi në kryeqytetit Damask. Organizata Amnesty International thotë se Siria ka burgosur 10 burra, pasi i ka arrestuar ata në mënyrë arbitrare në operacionet që ka zhvilluar në lagjen Qatana, në jugperëndim të kryeqytetit sirian.

Organizata i ka kërkuar Sirisë të bëjë të njohur vendndodhjen e të ndaluarve dhe të sigurojë mbrojtjen e tyre nga torturat dhe keqtrajtimet. Më parë, aktivistë të të drejtave të njeriut në Siri dhe dëshmitarë thanë se forcat pro-qeveritare kanë vrarë 13 persona që nga dita e hënë në qytetin qendror Homs, që ka qenë skenë e protestave të kohëve të fundit kundër Presidentit Bashar al-Asad. Aktivistët dhe banorë të Homsit thonë se trupat siriane dhe forcat milicore pro-Asadit hapën zjarr gjatë një funerali që po zhvillohej dje jashtë xhamisë Khaled bin Al Waleed, duke vrarë të paktën tre persona.

XS
SM
MD
LG