Lidhje

Ajova, ende pa rezultate përfundimtare dy ditë pas zgjedhjeve paraprake


Ndërsa janë numëruar rreth 62 për qind e votave, deri mbrëmjen e së martës, ish kryebashkiaku i qytetit South Bend të Indianës, Pete Buttigieg dhe Senatori i Vermontit, Bernie Sanders, duket se janë në një garë të ngushtë për të fituar zgjedhjet paraprake brenda demokratëve në Ajova. Rezultatet e votimit të së hënës po llogariten pas një vonese të papritur të shkaktuar nga problemet në një program të ri kompjuterik për marrjen e rezultateve. Siç na njeh materiali në vazhdim, (Korrespondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke njofton se) kaosi dhe konfuzioni i shkaktuar nga vonesa ka rikthyer në skenë pyetjen nëse tradita e vjetëruar e votimit siç bëhet në Ajova, mund të ketë një vend në zgjedhjet e ditëve të sotme.

Ajova është një nga disa shtetet dhe territoret amerikane ku votuesit zgjedhin një kandidat presidencial përmes sistemit të grupimit të mbështetësve. Takimet mbahen në vende publike ku njerëzit diskutojnë për kandidatët dhe politikat e tyre si dhe votojnë për ta duke ngritur dorën ose duke grupuar me mbështetësit e të njëjtit kandidat.

Në shumicën e shteteve të tjera ku zhvillohen zgjedhjet paraprake, votat janë të fshehta. Sistemi të cilin shumë e konsiderojnë të çuditshëm dhe të vjetëruar ka vlerat e tij, thotë profesori i shkencave politike David Redlawsk.

“Ky sistem i mbledh njerëzit për të diskutuar me njëri-tjetrin rreth kandidatëve dhe politikave të tyre, në një mënyrë që thjeshtë nuk bëhet shpesh”, thotë ai.

Shumë njerëz e vlerësojnë transparencën e këtij sistemi, thotë profesori Redlawsk.

“Nuk janë votime të fshehta dhe votat nuk numërohen në një dhomë private. Numërimi bëhet përpara të gjithë grupit zgjedhor.”

Presidenti Donald Trump e quajti difektin në votimet paraprake si një shenjë çrregullimi në Partinë Demokrate. Por edhe në parapraket republikane pati një difekt në vitin 2012, thotë profesori Redlawsk.

“Mit Romney u raportua si fitues por thuajse dy javë më pas kjo u ndryshua në favor të Rick Santorium sepse u gjetën vota shtesë.”

Problemi i dytë i votimit në Ajova në tetë vite ka ringjallur skepticizëm rreth procesit të votimit paraprak në grupe dhe shtron pyetjen nëse Ajova, një shtet rural me shumicë popullsie të bardhë dhe që nuk përfaqëson elektoratin e larmishëm amerikan, a duhet të vazhdojë të jetë shteti që i zhvillon i pari zgjedhjet paraprake.

Presidenti Trump i kundërshtoi skeptikët përmes një postimi në Twitter.

Kryetari i demokratëve në Ajova Troy Price tha se sistemi mbështetës, përfshi dokumentacionin, siguron saktësinë e numërimit të votave.

“Ishte një gabim kompjuterik, por të dhënat e papërpunuara, të dhënat e mbledhura janë të sigurta. E siguroj popullin e Ajovës për këtë.”

Një fitore në Ajova nuk garanton emërimin e partisë, thotë profesori Redlawsk, por katër kandidatët e fundit demokratë për president kanë arritur fitore në zgjedhjet paraprake në Ajova. Fituesi po ashtu tërheq më shumë vëmendjen e medias gjë që e ndihmon atë në fushatën e tij. Para katër vjetësh, zoti Trump fitoi me lehtësi ndaj dy kundërshtarëve të tij pak të njohur në zgjedhjet paraprake republikane të Ajovas.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG