Lidhje

Akademia e Mbrojtjes, reforma dhe studime sipas standarteve të Natos


Akademia e Mbrojtjes, reforma dhe studime sipas standarteve të Natos
Akademia e Mbrojtjes, reforma dhe studime sipas standarteve të Natos

Akademia e Mbrojtjes "Spiro Moisiu" në Tiranë po zhvillon një kurs të lartë studimesh me pedagogë të njohur të NATO-s nga Italia dhe shtete të tjera anëtare të Aleancës. Studimet po ndiqen nga një grup i madh ushtarakësh dhe zyrtarësh nga Kosova, Bosnja, Serbia dhe vende të tjera të rajonit. Akademia shqiptare e mbrojtjes po vazhdon reformat në përputhje me standardet e NATO-s, duke ndjekur njëkohësisht studimet, misionet paqeruajtëse dhe mbrojtjen e qytetarëve nga katastrofat natyrore.Akademia e Mbrojtjes e Shqipërisë po organizon këtë vit kursin e lartë të sigurisë dhe mbrojtjes me pjesëmarrjen e profesorëve të NATO-s dhe ekspertëve vendas dhe atyre nga rajoni i Ballkanit. Kursi është pjesë e një kolegji shumëvjeçar, por për herë të parë këtë vit është shënuar një numër i madh i pedagogëve më të njohur nga vendet e NATO-s, dhe diplomat do të kenë nivelin e njëjtë me ato të akademive të Aleancës.

“Krahas përditësimit të materialeve, ne kemi bërë edhe një rikompozim të pjesëmarrjes së lektorëve. Lektorët janë nga Itali dhe kjo është arritur falë bashkëpunimit të Akademisë shqiptare me Institutin e Studimeve të Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Italisë. Kemi lektorë nga Qendra Marshall në Gjermani, e cila është një qendër gjermano-amerikane. Kemi lektorë edhe nga vendet e rajonit si nga Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia, kemi pasur një numër ambasadorësh si ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, ambasadori i Italisë, ai i Holandës, ambasadorët e Maqedonisë, Malit të Zi etj.” - tha nënkolonel Çlirim Tuci, zëvendës-drejtor i kursit të tretë të Akademisë së Mbrojtjes.

Një nga veçantitë e këtij kursi të lartë për sigurinë dhe mbrojtjen është edhe bashkimi në një cikël të përbashkët studimesh të ushtarakëve dhe zyrtarëve që kanë ardhur nga Kosova, Serbia, Bosnja, Turqia, Shqipëria, Maqedonia.“Suksesi i këtij kursi nuk është vetëm i joni, por është një frymë që po vihet re në të gjithë rajonin tonë në kuadër të mbrojtjes dhe të sigurisë. Këta studentë bënë edhe një vizitë në Bruksel dhe në zyrat e NATO-s la një përshtypje shumë positive, sepse për herë të parë ne kemi studentë edhe nga Kosova, nga Bosnje-Hercegovina, edhe nga Serbia, të cilët janë ulur në një tavolinë dhe flasin për problemet e sigurisë dhe të mbrojtjes të rajonit tonë në një nivel pothuajse europian” - thotë kolonel Eduard Bala, shef i departamentit të sigurisë dhe mbrojtjes në akademinë e mbrojtjes.

Komandanti Kristaq Xharo, thotë se Akademia e Mbrojtjes është krenare se deri tani mbetet i vetmi institucion i akredituar nga ministria e arsimit për syandartet e larta të arsimit universitar dhe pasuniversitar. Ai thotë se aty po përgatiten drejtues të lartë në shumë fusha, qysh nga operacionet e terrenit, deri në zyrat përfaqësuese të aleancës.“Shumica e ushtarakëve që kanë marrë pjesë nëpër misione, nëpër shtabet e NATO-s, nëpër përfaqësi sot janë pedagogë dhe pjesëmarrës të stafit të Akademisë së Mbrojtjes. Por edhe pjesa më e madhe e akademistëve që kanë studiuar këtu, sot ndodhen nëpër operacione, në përfaqësitë tona në NATO, në Bruksel, në Monz, në ACT, apo në Napoli, njëkohësisht edhe nëpër operacione” - thotë kolonel Kristaq Xharo, komandant i Akademisë së Mbrojtjes.

Reformat strukturore dhe akademike pas anëtarësimit në NATO e kanë vendosur ushtrinë shqiptare përpara një seri sfidash. Gjeneral brigade Agim Lala, drejtues i Komandës së Doktrinës dhe stërvitjes, thotë se krahas studimeve dhe misioneve të ndryshme, ushtria shqiptare po qëndron tani përherë e më pranë komunitetit qytetar për ta ndihmuar në emergjenca. “Këtë vit ne patëm një përmbytje të madhe në zonën e Shkodrës, një përmbytje e cila do të destabilizonte çdo ushtri tjetër e cila nëse nuk do të ishte e organizuar nuk do të zgjidhte ato detyra aq të vështira dhe aq të mëdha që qenë në sezonin e përmbytjeve. Sfida kryesore pra e kësaj komande është që të paraprijë gjithë operacioneve të mundshme që do të kryejë ushtria shqiptare nesër. Për këtë po reformohen sistemi arsimor, trupa pedagogjike dhe materialet moderne shkencore” - thotë gjeneral brigade Agim Lala, drejtues i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Shqipëria u pranua anëtare me të drejta të plota në NATO rreth një vit e gjysmë më parë, pas disa vitesh pjesëmarrëse në programin e “Partneritetit për Paqe” dhe “Kartës Adriatik 3”. Ushtria shqiptare e ka shtuar pjesëmarrjen e saj me trupa speciale luftuese në disa misione si Iraku, Afganistani dhe tani ka gati njësitë e veta të dislokueshme për misione paqeruajtëse.

XS
SM
MD
LG