Lidhje

Aktivistja adoleshente për klimën merr vëmendjen e botës


Suedezja 16-vjeçare në përfundim të udhëtimit të saj trans-Atlantik
Suedezja 16-vjeçare në përfundim të udhëtimit të saj trans-Atlantik

Adoleshenjta nga Suedia, aktivistja për klimën, Greta Thunberg, e solli para dyerve të OKB-së grevën që zhvillon të premteve në shkollën e saj.

E rrethuar nga qindra aktivistë të rinj, ata u bënë thirrje të rriturve të ndërmarrin veprime për ndryshimet klimatike në botë. Aktivistja do të flasë në samitin mbi ndryshimet klimatike që mbahet muajin tjetër në asamblenë e përgjithshme të OKB-së, ku do të marrin pjesë udhëheqës botërorë.

Lundrimi 14-ditor në ujërat e rrepta të Atlantikut nga Anglia për në SHBA i 16-vjeçares Greta Thunberg, me barkën e saj që nuk çliron karbon, ka tërhequr vëmendjen e botës.

Një grup i madh njerëzish u mblodhën në Nju Jork për të përshëndetur aktivisten.

“Është e çuditshme. Të gjithë më pyesin për Donald Trumpin. Mesazhi im për të është që ai të dëgjojë shkencën, gjë që ai duket se nuk e bën. Nëse askush nuk po arrin ta bindë atë për krizën klimatike, urgjencën, si mund ta bëj unë? Prandaj, unë thjesht do të ndërgjegjësoj njerëzit në përgjithësi që të fillojnë të kujdesen dhe të kuptojnë se sa e madhe është kriza”, tha aktivistja Greta Thunberg.

Që prej një viti, ajo kishte filluar të linte mësimin çdo të premte në shenjë proteste. Çdo javë protestonte para parlamentit suedez, ku kërkonte veprime për ndryshimet klimatike. Veprimet e saj kanë frymëzuar 2 milionë fëmijë në 135 vende të botës që të veprojnë si ajo.

Të premten, aktivistja Thunberg dhe qindra të rinj tjerë protestuan përpara Kombeve të Bashkuara.

Ata u kërkuan të rriturve t’u bashkohen në një protestë të planifikuar për datën 20 shtator, që është po ashtu ditë e premte.

Adoleshentja pritet të mbajë një fjalim përpara udhëheqësve botërorë në samitin global të ndryshimeve klimatike të OKB-së më 23 shtator.

Zjarret që kanë përfshirë Amazonën e Brazilit i dhanë kësaj çështjeje prioritet për tubimet e këtij viti në organizatën më të madhe në botë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG