UASHINGTON – Një mori kontaktesh diplomatike dhe njoftimet për progres të rëndësishëm sugjerojnë se bisedimet indirekte mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të jenë pranë arritjes së një marrëveshjeje. Sidoqoftë, zyrtarët amerikanë janë përpjekur të mos theksojnë shanset për një marrëveshje të pritshme që do t’i rikthente Uashingtonin dhe Teheranin në kuadrin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Ndërsa janë ndërprerë negociatat në Vjenë, Shtetet e Bashkuara dhe Britania mohuan njoftimet iraniane se po arrihej ndonjë marrëveshje me Iranin për shkëmbimin e të burgosurve amerikanë dhe britanikë. Një shkëmbim i tillë mund të ishte një hap për ndërtimin e mirëbesimit për të ringjallur marrëveshjen bërthamore.
Rikthimi i Shteteve të Bashkuara në këtë marrëveshje do të ishte iniciativa më e madhe dhe më e debatueshme e muajve të parë të presidencës Biden. Kjo do të ringjallte një marrëveshje të hartuar nga ndihmësat kryesorë të zotit Biden gjatë administratës së ish-Presidentit Obama, por nga e cila u tërhoq ish-Presidenti Donald Trump duke marrë edhe masat për të parandaluar një rikthim të mundshëm të Shteteve të Bashkuara. Rikthimi në këtë marrëveshje dhe lëshimet e nevojshme për këtë qëllim, do të zemëronin republikanët dhe mund të trazonin Izraelin dhe vendet aleate arabe.
Ndërsa Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab i hodhën poshtë njoftimet për shkëmbime të burgosurish gjatë një konference për shtyp të hënën në Londër, diplomatë të lartë amerikanë ndodheshin në rajonin e Lindjes së Mesme për t’u takuar me udhëheqës arabë. Gjithashtu, dy nga mbështetësit më të mëdhenj në Kongres të marrëveshjes bërthamore, senatorët demokratë Chris Coons dhe Chris Murphy, po vizitonin rajonin.
Këto diskutime erdhën pas një jave takimesh të nivelit të lartë në Uashington mes Presidentit Biden, këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare Jake Sullivan, zëvendëses së tij Wendy Sherman, të dërguarit special për Iranin Rob Malley dhe zyrtarëve të tjerë, me drejtuesin e shërbimit izraelit të zbulimit dhe ndihmësin kryesor për sigurinë kombëtare të Kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Izraelitët kundërshtojnë me forcë çdo riafrim të Shteteve të Bashkuara me Iranin, të cilin e shikojnë si një kërcënim ekzistencial ndaj shtetit hebre. Të paktën tre takime të veçanta u zhvilluan me izraelitët gjatë javës së kaluar, përfshirë një takim të premten me kreun e Mossadit, Yossi Cohen, ku mori pjesë edhe Presidenti Biden. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se zoti Cohen u informua për diskutimet në Vjenë “dhe progresin e arritur atje”.
Në orët e vona të së premtes dhe të shtunën qarkulluan njoftime nga media iraniane, apo të lidhura me Iranin, se ishte arritur një marrëveshje për atë çfarë do të ofronin Shtetet e Bashkuara në këmbim të rikthimit të Iranit në marrëveshjen e 2015-tës, e cila ofroi lehtësim të sanksioneve prej miliarda dollarësh në këmbim të kufizimit së programit bërthamor. Në vazhdim u shfaqën të dielën edhe njoftimet për një shkëmbim të burgosurish.
Zyrtarët amerikanë i hodhën poshtë me shpejtësi këto njoftime duke i quajtur të parakohshme dhe të pasakta, megjithëse janë të ditura konturet e përgjithshme të lehtësimit të mundshëm të sanksioneve dhe Uashingtoni nuk ka fshehur dëshirën për të liruar amerikanët që mbahen në Iran.
Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar progresin e kufizuar të arritur me bisedimet në Vjenë, ku i dërguari special Rob Malley ka drejtuar delegacionin amerikan. Zoti Malley ishte një figurë kyçe në negociatat e administratës së ish-Presidentit Obama për marrëveshjen fillestare bërthamore të vitit 2015, ashtu siç ishin zonja Sherman dhe zoti Sullivan, të cilët drejtuan bisedimet dhe morën pjesë në takimet e fshehta që përgatitën terrenin për marrëveshjen.
Administrata e Presidentit Biden reagoi menjëherë ndaj njoftimeve iraniane. Departamenti i Shtetit tha se “nuk gjendemi pranë ndonjë arritjeje madhore” dhe e hodhi poshtë si fals njoftimin për shkëmbim të burgosurish. “Fatkeqësisht, ai njoftim është i pavërtetë”, tha të dielën shefi i personelit (shef kabineti) në Shtëpinë e Bardhë, Ron Klain.
Zoti Sullivan është treguar i kujdesshëm në komentet publike për bisedimet, duke theksuar se gjërat ndodhen në “një vend të paqartë në Vjenë”. Gjatë një takimi virtual të premten të Forumit Aspen për Sigurinë, ai theksoi se bisedimet janë një “negocim i vërtetë”, ndërsa pranoi se natyra indirekte e diskutimeve e ka bërë përpjekjen disi “jo-efikase”.
“Ndoshta mirëbesimi është gjithnjë çështje perceptimi dhe ne mendojnë se iranianët kanë ardhur me seriozitet për të zhvilluar bisedime serioze për detajet dhe ekipet po i shqyrtojnë ato detaje”, tha ai.
Rritja e aktivitetit diplomatik, ndërsa negociatorët përgatiten për një raund të katërt bisedimesh në Vjenë, u ka dhënë arsye për shpresë mbështetësve të marrëveshjes nga e cila u tërhoq ish-Presidenti Trump në vitin 2018, si dhe u ka shkaktuar ankth kundërshtarëve të marrëveshjes.
Zgjidhjen e mundshme afatshkurtër apo afatgjatë e komplikojnë një sërë kundërshtarësh. Krahas vendeve arabe dhe Izraelit, ka kundërshtime të forta edhe nga ligjvënësit republikanë në Kongresin amerikan, të cilët përpiqen vazhdimisht të miratojnë ndonjë legjislacion për ta bllokuar marrëveshjen. Në Iran, faktorë nga brenda Gardës Revolucionare Islamike duket se po i shfrytëzojnë bisedimet e Vjenës për të dëmtuar një kandidim për president vitin e ardhshëm të Ministrit të Jashtëm Javad Zarif.
Kundërshtarët e marrëveshjes kanë kritikuar taktikat negociuese të zotit Malley dhe kolegëve të tij, duke pretenduar se janë duke hequr dorë kështu nga ndikimi që ish-Presidenti Trump krijoi duke dalë nga marrëveshja dhe duke vendosur sanksione të gjera. Në fakt, një rikthim i Shteteve të Bashkuara tek marrëveshja do të kërkonte lehtësimin e shumë prej këtyre sanksioneve, duke përfshirë ndoshta edhe sanksionet e vendosura për arsye jo-bërthamore, si për shkak të terrorizmit, aktivitetit të raketave balistike dhe abuzimit me të drejtat e njeriut.
Në krahun tjetër, mbështetësit e marrëveshjes kanë fshikulluar kritikët duke i akuzuar se po refuzojnë diplomacinë dhe po bëjnë thirrje për luftë. Ata pretendojnë se lehtësimi i sanksioneve është mënyra e vetme për ta rikthyer Iranin në përputhje me marrëveshjen dhe për t’ia mbyllur rrugën drejt armëve bërthamore.
Facebook Forum