Lidhje

Autoritetet e përcaktojnë sulmin ndaj sinagogës "krim urrejtjeje"


Një fëmijë duke vendosur lule tek sinagoga "Pema e Jetës", në qytetin Pittsburgh

Prokurori Scott Brady, i cili po heton sulmin në sinagogën e Pittsburgh-ut, e emërtoi masakrën "një krim urrejtjeje". Në dokumentat e aktakuzës saktësohet se sulmuesi Robert Gregory Bowers ishte i armatosur me një automatik AR-15 dhe me tre armë brezi. Prokurorët federalë njoftuan se kanë ngritur 29 akuza penale ndaj tij.

Duke bërtitur “të gjithë çifutët duhet të vdesin”, sulmuesi i armatosur hyri të shtunën në sinagogën e Pittsburgh-ut gjatë shërbimeve fetare të Sabatit, duke shtënë ndaj besimtarëve të shumtë që ishin të pranishëm. Ai mori jetët e 11 personave (8 burra dhe 3 gra).

Gjashtë vetë u plagosën, ndër ta edhe një oficer policie që u përball me sulmuesin. Sipas zyrtarëve, dy prej të plagosurve civilë janë në gjendje kritike.

I arrestuari, 46-vjeçari Robert Bowers, banor i qytetit Pittsburgh, është gjithashtu i plagosur.

FBI-ja u shpreh se ai nuk kishte tërhequr ndonjëherë vëmendjen e organeve ligjzbatuese.

Gjatë një mitingu fushate në Murphysboro, të shtetit Illinois, Presidenti Donald Trump e dënoi sulmin.

“Ky sulm i lig antisemit është një sulm ndaj ne të gjithëve. Është një sulm ndaj njerëzimit. Duhet të punojmë të gjithë së bashku për të hequr helmin e antisemitizmit nga bota jonë. Ky ishte një sulm i tmerrshëm antisemit”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump shtoi se mallkimi i antisemitizmit nuk mund të injorohet, nuk mund të tolerohet dhe nuk duhet lejuar të vazhdojë.

Në një postim vetëm pak minuta para sulmit, zoti Bowers deklaroi se agjensia hebraike për refugjatët, Shoqata Hebraike për Ndihmën ndaj Emigrantëve (HIAS), preferon “të sjellë në vend pushtues që vrasin njerëzit tanë. Nuk mundem të pres, ndërsa njerëzit e mi masakrohen... Po veproj.”

Prokurorët federalë kanë ngritur 29 akuza penale ndaj zotit Bowers, ndër të tjera edhe për dhunë me armë dhe për shkelje të të drejtave civile.

Shtëpia e Bardhë urdhëroi uljen e flamujve në gjysëmshtizë deri më 31 tetor, “në shenjë respekti solemn për viktimat e këtij akti të tmerrshëm dhune”.

Ish-Presidenti Barack Obama u shpreh se "mbajmë zi për amerikanët e vrarë në Pittsburgh. Të gjithë duhet ta luftojmë rritjen e anti-semitizmit dhe retorikën e urrejtjes ndaj atyre që duken ndryshe, që adhurojnë dhe luten ndryshe. Gjithashtu, nuk duhet t'ua bëjmë më të lehtë marrjen e armëve atyre që duan të dëmtojnë të pafajshmit".

Papa Françesku e quajti në Vatikan masakrën "një akt çnjerëzor dhune". Ai u lut për ndihmë "për shuarjen e flakëve të urrejtjes që rriten në shoqërinë tonë".

Në Izrael, Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se "është e vështirë të përshkruhet tmerri i vrasjes së hebrenjve që mblidhen në ditën e Sabatit dhe që vriten vetëm sepse janë hebrenj. Në emrin tim, në emrin e qeverisë së Izraelit dhe të kombit izraelit, përcjell ngushëllimet tona më të ndjera familjeve që humbën të dashurit. Të gjithë po lutemi për shërimin e shpejtë të të plagosurve".

Kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti sulmin një akt "urrejtjeje të verbër antisemite", ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për një përpjekje të përbashkët globale "për të zmbrapsur forcat e racizmit, anti-semitizmit, islamofobisë dhe format e tjera të racizmit".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG