Dita e lutjeve sot në xhaminë Al-Aksa që ndodhet në Jeruzalem u shdërrua në protestë, ndërsa qindra palestinezë hodhën parulla kundër njohjes së qytetit të shenjtë si kryeqytet i Izraelit.
Sipas autoriteteve palestineze në faljen e së premtes në xhami morën pjesë 45 mijë vetë.
Gjatë protestës, adhuruesit valvitën flamuj palestinezë e turq si dhe mbanin në dorë fotografi të presidentit turk Tayyip Erdogan, i cili ka folur kundër vendimit të Uashingtonit.
Protesta vjen një ditë pasi më shumë se 120 vende në Kombet e Bashkuara sfiduan Presidentin amerikan Donald Trump dhe votuan në favor të një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme, që bënte thirrje që Shtetet e Bashkuara të heqin dorë nga vendimi.
Një zëdhënës i presidentit palestinez që mbështetet nga perëndimi Mahmoud Abbas e quajti votën "një fitore për Palestinën".
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e kundërshtoi votimin.
Dje presidenti turk Taip Erdogan tha se Shetet e Bashkuara nuk mund të blejnë mbështetjen e Turqisë pas kërcënimit të zotit Trump se do të shkurtojë ndihmën për vendet që mbështesin projekt-rezolutën e Kombeve të Bashkuara.
Facebook Forum