Lidhje

Shqipëri: Parlamenti debaton projekt-buxhetin e ri


Shqipëri: Parlamenti debaton projekt-buxhetin e ri
Shqipëri: Parlamenti debaton projekt-buxhetin e ri

Parlamenti shqiptar nisi sot diskutimin e projekt-buxhetit të shtetit për vitin 2011, në valën e kritikave të opozitës për mungesë transparence në investime dhe në borxhe, si edhe me ambicjet e reja të qeverisë për ndërtime veprash të mëdha publike.

Opozita socialiste e kritikoi projekt-buxhetin për llogaritje euforike të investimeve publike për vitin e ardhshëm, dhe tha se shumë prej tyre janë llogaritur për efekte politike fushateske. Deputeti socialist, Arben Malaj, tha se “projekt-buxheti i sjellë nga qeveria e djathtë nuk është realist as në parashikimin e investimeve, as në parashikimin e mbledhjes së taksave, as në atë të rritjes ekonomike”.

Debati për projekt-buxhetin përfshiu më shumë komisionin parlamentar të ekonomisë për disa orë, ndërkohë që ai po diskutohet në të gjitha komisionet e tjera të parlamentit me disa ditë vonesë. Ministri i financave Ridvan Bode, tha se kjo vonesë u shkaktua nga shitja e eurobondit shqiptar në tregjet ndërkombëtare. Zoti Bode pohoi se “ky projekt-buxhet i ri rrit ndjeshëm fondet e zhvillimit rajonal, parashikon investime të mëdha në infrastrukturë, shkolla e spitale, si edhe një rritje të re të zakonshme tashmë të pagave e pensioneve”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi Shqipërisë “të ulë deficitin buxhetor dhe borxhin e brendshëm gjatë hartimit të projekt-buxhetit, për të rritur qëndrueshmërinë dhe normalitetin e ekonomisë së vendit”. Një mision i FMN vizitoi Shqipërinë në kohën kur qeveria hartoi projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm, dhe deklaroi se “ulja e borxhit dhe e deficitit duhen bërë me masa dhe parashikime realiste”.

Sipas FMN-së, rritja ekonomike është 3 për qind këtë vit dhe parashikohet rreth 3,5 për qind vitin e ardhshëm me një inflacion mesatar rreth 3 për qind. “Me këtë parashikim, mbledhja e të ardhurave duhet të rritet 6-7 për qind - tha FMN, duke theksuar se - borxhi publik i Shqipërisë është në nivel të lartë dhe ky është rreziku kryesor në ekonominë e brendshme”.

XS
SM
MD
LG