Lidhje

12 korrik: Plani Aizenhauer për autostradat amerikane; Sinjali i përfundimit të ditës në repartet ushtarake amerikane


Plani Aizenhauer për autostradat amerikane

Më 12 korrik 1954, presidenti Dwight Eisenhower propozoi që qeveria federale dhe qeveritë e shteteve të fillonin një projekt të përbashkët prej 50 miliardë dollarësh për ndërtimin e autostradave. Ky plan i guximshëm parashikonte ndërtimin e autostradave shumë korsish, gjithsej prej 77 mijë kilometrash. 90 përqind e shpenzimeve do të mbuloheshin nga qeveria federale.

Projektplani 10-vjeçar merrte parasysh ndryshimet që do të pësonte vendi deri në vitin 2 mijë, si rrjedhim i shtimit të popullsisë dhe nevojat e mbrojtjes, në rast të ndonjë lufte bërthamore. Shumë prej autostradave të ndërtuara në bazë të këtij projekti, sot janë zgjeruar e janë zgjatur.

Në saje të rrugëve të tilla, sot automjetet mund të udhëtojnë me shpejtësi të madhe nga jugu në veri e nga lindja në perëndim, duke anashkaluar qytetet dhe pa qënë e nevojshme të ndalen para semaforëve apo pengesave të tjera të trafikut rrugor.

Sinjali i përfundimit të ditës në repartet ushtarake amerikane

Më 12 korrik 1862, një oficer i ushtrisë unioniste gjatë Luftës Civile Amerikane kompozoi një pjesë sinjali që luhej me bori të quajtur “Taps”. Gjeneralit Daniel Butterfild nuk i pëlqente thirrja e zakonshme me bori që ishte sinjal për shuarjen e dritave. Ai kaloi një pjesë të natës pranë zjarrit duke shkruar nota dhe nëmëngjes i kërkoi borizanit të brigatës t’i binte pjesës që kishte kompozuar.

Borizanët e pëlqyen sinjalin e ri dhe brenda pak ditësh kompozimi i ri luhej në reparte të ndryshme në mbarë ushtrinë unioniste. Së shpejti sinjali filloi të përdorej edhe nga ushtria konfederale. “Taps” u bë thirrja tradicionale me bori që luhej në fund të ditës për të lejuar shuarjen e dritave në bazat ushtarake. Sot ajo luhet gjithashtu në ceremonitë e varrimit të ushtarakëve amerikanë.

XS
SM
MD
LG