Lidhje

13 qershor: Ndjekja e O.J. Simpsonit; Vendimi "Miranda" i Gjykatës së Lartë


Ndjekja e O.J. Simpsonit

Më 13 qershor të vitit 1994, dy persona u gjetën të vdekur në Los Anxhelos të Kalifornisë, në atë që u bë një prej rasteve të vrasjeve më kontradiktore të kohës. Viktimat ishin Nikollë Braun Simpson dhe Ron Goldman, një i njohuri i saj.

Dyshimet ranë mbi ish bashkëshortin e zonjës Simpson, O.J. Simpson, ish ylli i futbollit amerikan, komentator i njohur sportiv dhe ngandonjëherë aktor, me një histori xhelozie e abuzimesh ndaj bashkëshortes së tij Nikollë.

Më 17 qershor, disa ditë pas gjetjes së trupave, telespektatorët në Shtetet e Bashkuara panë pamje të një skene të paharruar, O.J. Simpsoni në një fuoristrada Ford Bronko që e ngiste një shoku i tij dhe ish anëtar i skuadrës, dhe policia që e ndiqte makinën në autostradë për 90 minuta.

Thuhet se Simpsoni kishte me vete pasaportën, disa dhjetra mijëra dollarë dhe një armë. Shoku i tij i telefonoi urgjencës së policisë 9-1-1 nga telefoni i tij celular dhe u kërkoi policëve që po e ndiqnin të ishin të kujdeshëm me O.J. Simpsonin. Ndjekja përfundoi në shtëpinë e Simpsonit, kur policia e morri atë nën arrest.

O.J. Simpson u gjykua nën akuzat për vrasje në vitin 1995. Për arsye se Simpson ishte zezak dhe viktimat të bardhë, pati pretendime se ndaj të pandehurit ishin ngritur akuza falso dhe ai ishte viktimë e racizmit në departamentin e policisë në Los Anxhelos. Disa thoshin se prokurorët dhe hetuesit kishin bërë një punë të dobët në mbledhjen e provave kundër Sipmsonit.

Nga ana tjetër, kishte disa njerëz që mendonin se Simpson dhe avokatët e tij po përfitonin nga fama e tij dhe, luajtën kartën e racës, duke u përpjekur të fitonin simpatinë e afrikano-amerikanë në juri dhe jashtë saj. Në tetor të vitit 1995, juria e shpalli të pafajshëm O.J. Simpsonin dhe ai u lirua.

Por kjo çështje nuk përfundoi me kaq. Në vitin 1997, me anë të një akt padie civile të ngritur nga familjet e viktimave, Simpson u gjet përgjegjës për vrasjen e ish bashkëshortes së tij Nikollë dhe të njohurit të saj Ron Goldman. Simpsonit iu dha urdhër t’u paguante familjeve 33 milion dollarë. Vendimi i jurisë në padinë civile të familjeve të viktimave, me sa duket konfirmoi opinionin e publikut në përgjithësi, se O.J. Simpson ishte në fakt vrasësi i Nikollë Braun Simpsonit dhe Ron Goldmanit.

Vendimi "Miranda" i Gjykatës së Lartë

Më 13 qershor të vitit 1966, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara mori një vendim që shënoi një hap të madh për t’u garantuar amerikanëve mbrojtje nga fajësimi i vetvetes.

Në këtë çështje që njihet si “Miranda kundër Arizonës”, Gjykata e Lartë vendosi se për mbrojtjen e të drejtave të amerikanëvë për të mos u fajësuar, policia duhet patjetër që të informojë të dyshuarin në momentin e arrestimit, se ka të drejtë të mos flasë dhe se çdo deklaratë që ai bën mund të shfrytëzohet kundër tij dhe se ai ka të drejtë të konsultohet me avokatin.

Vendimi “Miranda” u vlerësua nga përkrahësit e lirive civile si një fitore e madhe për të drejtat individuale. Por disa konservatorë e kritikuan vendimin si minues për përpjekjet e zyrtarëve të ruajtjes së rendit.

Gjykata e Lartë e bazoi vendimin e saj në studime të hollësishme të praktikave hetuese të policisë. Rezultatet treguan se shpesh policia kishte përdorur menjëherë forcën fizike, si dhe gjënjeshtra e mashtrime, për t'i detyruar të pandehurit të pranojnë fajësinë.

XS
SM
MD
LG