Lidhje

16 qershor: Abraham Linkolni shprehet kundër skllavërisë; Nënshkruhet traktati për Kanalin e Panamasë


Abraham Linkolni shprehet kundër skllavërisë

Më 16 qershor 1858, Abraham Linkolni shprehu publikisht pikëpamjet e tij për skllavërinë në kuvendin e Partisë Republikane të shtetit Illinoi. Duke pranuar emërimin si kandidat për senator nga partia së tij, Linkolni citoi një fragment nga Bibla për të deklaruar se çështja e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara duhej zgjidhur.

“Një shtëpi e përçarë brenda vetes nuk mund të qendrojë më këmbë. Besoj se kjo qeveri nuk mund të rezistojë përjetësisht kur gjysma e vendit është e skllavëruar dhe gjysma tjetër është e lirë. Unë nuk pres që Unioni të shpërbëhet, nuk pres që shtëpia të shembet, por shpresoj së tepërmi që përçarja të marrë fund. Amerika do të bëhet një e tërë, ose si njëra, apo si tjetra gjysëm”.

Abraham Linkolni u sfidua nga senatori i mëparshëm i Illinoit, Stivën Dagllas. Megjithatë, elokuenca e Linkolnit mbi problemin e skllavërisë tërhoqi vemendjen mbarëkombëtare dhe në vitin 1860, vetëm dy vjet më vonë, ai fitoi ndaj kandidatit demokrat, Dagllas, në zgjedhjet presidenciale.

Nënshkruhet traktati për Kanalin e Panamasë

Më 16 qershor të vitit 1978, presidenti amerikan, Xhimi Karter, dhe gjenerali panamez, Omar Torrihos, shkëmbyen dokumentat e ratifikimit të Traktatit të ri mbi Kanalin e Panamasë që i kthente Panamasë sovranitetin e këtij kanali.

Në ceremoninë që u zhvillua në stadiumin e qytetit të Panamasë, morën pjesë 4 mijë të ftuar, përfshirë anëtarë të Kongresit amerikan dhe zyrtarë të lartë nga vendet e Amerikës Latine dhe Karaibet. Presidenti Karter përmendi në mënyrë të veçantë ndihmesën e këtyre udhëheqësve në procesin që rezultoi në dorëzimin nga ana e Shteteve të Bashkuara të sovranitetit mbi këtë kanal.

“Nderohemi nga prania e udhëheqësve të pesë vendeve demokratike, të cilët kanë inkurajuar dhe këshilluar të dy vendet tona gjatë bisedimeve për traktatin përfundimtar”.

Këto ishin komentet e presidentit Xhimi Karter në ceremoninë e zhvilluar në qytetin e Panamasë më 16 qershor 1978, me rastin e ratifikimit të marrëveshjes për kthimin e kanalit nën sovranitetin e Panamasë. Por realisht, Panamaja mori kontrollin e kanalit rreth 22 vjet më vonë.

XS
SM
MD
LG