Lidhje

23 qershor: Kongresi hedh poshtë veton e Presidentit Truman për Aktin Taft-Hartli; Ta quajmë "Shtetet e Bashkuara të Amerikës"


Kongresi hedh poshtë veton e Presidentit Truman për Aktin Taft-Hartli

Më 23 qershor të vitit 1947, Senati i Shteteve të Bashkuara rrëzoi veton e presidentit, Harry Truman, dhe miratoi në ligj Aktin Taft-Hartli. Dhoma e Përfaqësuesve e kishte rrëzuar më parë veton e presidentit.

Kongresi i dominuar nga republikanët miratoi aktin Taft-Hartli për të pakësuar ndjeshëm fitoret e sindikatave punëtore të arritura gjatë presidencës së demokratit Franklin Ruzvelt.

Në bazë të dispozitave të këtij akti shfuqizoheshin rregullat për anëtarësinë e detyruar të punonjësve në disa kompani. Po në bazë të këtij ligji, presidenti do të kishte kompetencën të pezullonte grevat për 60 ditë, në qoftë se ato gjykoheshin se kërcënonin sigurinë kombëtare dhe qetësinë publike.

Presidenti demokrat Hari Truman i kishte vënë veton këtij akti, duke thënë se ai "do të shtonte, në vend që të paksonte grevat dhe do të dobësonte unitetin kombëtar".

Lëvizja punëtore e kundërshtoi ashpër Actin Taft-Hartli, por koha e tregoi se ligji nuk i dobësoi ndjeshëm sindikatat punëtore. Madje, ai i bashkoi dhe forcoi politikisht sindikatat, të cilat iu kundërvunë republikanëve në 1948, vitin që Presidenti Truman fitoi zgjedhjet presidenciale ndaj rivalit të tij, republikanit Tomas Diuei.

Ta quajmë "Shtetet e Bashkuara të Amerikës"

Më 23 qershor të vitit 1787, delegatët e Kuvendit kushtetues në Filadelfia votuan njëzëri për të pagëzuar vendin e ri me emrin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky emër ishte përdorur në Deklaratën e Pavarësisë në vitin 1776, por në kushtetutën e parë të vendit që njihet si Artikujt e Konfederatës, emri i vendit ishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës së Veriut.

Në Kuvendin e Filadelfias, delegati nga Kënektikati, Oliver Ellsuorth, i bindi me sukses delegatët e tjerë që vendit të ri t’i vihej emri Shtetet e Bashkuara të Amerika.

XS
SM
MD
LG