Lidhje

SHBA: Kurora në Varrezat e Arlingtonit për festat e fundvitit


SHBA: Kurora në Varrezat e Arlingtonit për festat e fundvitit
SHBA: Kurora në Varrezat e Arlingtonit për festat e fundvitit

Sezoni i festave është koha kur shumë familje mblidhen së bashku. Por familjet e shumë ushtarëve amerikanë janë shpesh të ndara, dhe për disa prej tyre kjo ndarje është e përhershme. Disa mijëra vullnetarë u mblodhën kohët e fundit në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit pranë kryeqytetit Uashington, për kujtuar ushtarët e rënë në luftë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës David Byrd sjell hollësi.

Ilka Halliday ka shumë kujdes, që kurora e Krishtlindjeve që vë ajo ve tek varri i djalit të saj, Christopher Wilson, të duket bukur. Wilson vdiq në një sulm rakete në Afganistan para tre vjetësh. Ai është vetëm njëri nga ish pjesëtarët e ushtrisë që kujtohet në Varrezat e Arlingtonit, si pjesë e një projekti mbarë-kombëtar, të quajtur “Kurora nëpër Amerikë”. Mijëra vullnetarë erdhën për të zbukuruar me kurora të sjella që nga shteti Mein disa nga varrezat në Arlington. Morrill Worcester, e cila është pronare e një kompanie kurorash në Mein, e filloi projektin në vitin 1992.

“Është e mrekullueshme të jesh me disa mijëra miqtë më të afërt. Po vizitojmë familjet e mbi 300 mijë të rënëve. Nuk mund ta besoj se herën e parë që isha këtu para 19 vjetësh, ndodheshin vetëm disa dhjetra njerëz, por tani është plot.”

Kurorat e dhuruara, apo të sponsorizuara, përfshijnë atë që u vendos tek varri i djalit të Ilka Halliday-it, mes trupave të tjera të vrara në Irak dhe Afganistan. Kolonel-lejtnanti i Ushtrisë Ken Godfrey thotë se familjet e ndjejnë humbjen e të afërmve më tepër gjatë kësaj periudhe të vitit.

“Kjo periudhë sjell shumë emocione dhe çdo familje e përjeton ndryshe. Vendi ku ndoshta ndjehen më shumë emocionet është seksioni 60, sepse aty janë varrosur shumë prej ushtarëve të vrarë vitet e fundit.”

Brian Merry është mekanik aviacioni në ushtri dhe sapo është kthyer nga Iraku. Ai vendos një nga kurorat në varrin e shokut të tij, Benjamin Sabban.

“Ai ishte mjek ushtarak, i vendosur në një bazë të vogël. U godit nga një prej bombave të improvizuara. Unë isha në një pjesë tjetër të Irakut dhe e mora lajmin me vonesë. Ishte e vështirë ta besoja se kishte vdekur.”

Paula Davis humbi djalin e saj të vetëm Justin në Afganistan, në vitin 2006. Ajo thotë se kur sheh këtu kaq shumë vullnetarë, kjo e ndihmon të durojë dhimbjen.

“Festat janë gjithmonë të vështira dhe të ndihmon kur njerëzit mblidhen këtu, pavarësisht nga gjërat që kanë për të bërë për Krishtlindje dhe nuk i harrojnë të dashurit tanë, që nuk janë më.”

Davis është shoqe me gra të tjera që kanë humbur anëtarë të familjes. Ato quhen “Gold Star Mothers”. Ilka Halliday thotë se ato e ndihmojnë të durojë dhimbjen.

“Duket sikur nuk kemi ekzistuar pa njëra tjetrën. Jemi shumë të afërta. Mund të sillemi si duam dhe të mos shqetësohemi se ç’mendojnë njerëzit. Nëse na vjen të bërtasim, bërtasim, nëse duam të përqafohemi, përqafohemi. Dhe kjo është e mrekullueshme.”

Deri në fund të ditës, në varrezat e Arlingtonit do të vendosen 24 mijë kurora. Morrill Worcester thotë se do, që kjo traditë vitin e ardhshëm të përfshijë të gjithë varrezën.

XS
SM
MD
LG