Lidhje

SHBA, aleatët synojnë të marrin masa të tjera për të ndaluar programin bërthamor të Iranit


Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po marrin masa të tjera për të ndaluar programin bërthamor të Iranit, pasi të mërkurën Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi raundin e katërt të sanksioneve kundër Teheranit.

Pas miratimit të sanksioneve nga OKB-ja, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs tha se hapi i ardhshëm i administratës Obama është që të bashkëpunojë me ligjvënësit amerikanë dhe aleatët në gjithë botën për të vazhduar presionin ndaj Iranit. Ai tha se ky presion përfshin sanksione të njëanshme të Shteteve të Bashkuara krah për krah sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Sanksionet e OKB-së nuk janë një plumb magjik. Ekzistojnë hapa të caktuar që mund të marrim si qeveri dhe e kemi bërë këtë. Ekzistojnë hapa që Kongresi do të marrë, si pjesë e qeverisë sonë. Ekzistojnë hapa që Komuniteti Evropian dhe aleatët tanë në gjithë botën mund të marrin. Madje ne po punojmë me Kongresin amerikan, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, për të miratuar një projekt-ligj, që me sa di unë tani po diskutohet”.

Të dy dhomat e Kongresit amerikan duhet të bien dakord për një version të vetëm të projekt-ligjit para se ai t’i mbërrijë Presidentit Barak Obama për firmën e tij, që e kthen në ligj.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se sanksionet e Shteteve të Bashkuara do të vënë në shënjestër industrinë e naftës të Iranit. Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për çështjet e jashtme, Howard Berman tha se Kongresi do të miratojë projekt-ligjin për sanksionet para fundit të këtij muaji.

Udhëheqësit evropianë pritet të bien dakord javën e ardhshme për zbatimin e sanksioneve kundër Iranit, që kanë në shënjestër bankat dhe kompanitë e sigurimeve të Iranit. Diplomatë të Bashkimit Evropian thonë se votimi përfundimtar mund të zhvillohet në muajin korrik.

Zëdhënësi i Presidentit Obama, Robert Gibbs tha se edhe sanksionet e BE-së do të përbëjnë një deklaratë të rëndësishme.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me miqtë dhe aleatët tanë për të krijuar dhe vazhduar koalicionin që kemi për t’i treguar botës se sa me seriozitet e marrin ne të gjithë programin bërthamor të Iranit”.

Irani thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.

Të mërkurën, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi raundin e katërt të sanksioneve kundër Iranit për programin e tij të debatueshëm bërthamor. 12 nga 15 vendet anëtare të Këshillit votuan në favor të rezolutës. Brazili dhe Turqia votuan kundër, ndërsa Libani abstenoi.

Rusia dhe Kina, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, votuan në favor të sanksioneve, pasi Shtetet e Bashkuara i siguruan ato se rezoluta e OKB-së nuk do të dëmtonte aftësitë e tyre për të vazhduar tregëtinë me Iranin.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha dje se një marrëveshje për t’i dërguar Iranit raketa S-300 tokë-ajër nuk do të ndikohet nga sankionet e reja.

Por gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi Robert Gibbs përmendi një njoftim të agjencisë ruse të lajmeve Interfax, e cila citoi një zyrtar të agjencisë ruse, që mbikqyr shitjet e armëve të ketë thënë se Moska do të anullojë kontratat për shitjen e raketave.

“Rezoluta, në formën e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i bën thirrje të gjitha shteteve që të tregohen vigjëlente dhe të përmbajtura në çdo lloj shitje armësh që janë të ndaluara. Dua të vë në dukje se gjatë 18 muajve të fundit rusët nuk kanë transferuar sistemin që u kishin premtuar iranianëve, madje ka njoftime që lenë të kuptohet se rusët nuk kanë në plan ta bëjnë këtë transferim edhe në të ardhmen”.

Rusia nënshkroi një kontratë në vitin 2007 për t’i shitur Iranit raketat, por deri më sot ato nuk i janë dërguar Iranit.

XS
SM
MD
LG