Lidhje

Përpjekje të qeverive të ndryshme për të bllokuar komunikimin e lirë në Internet


Grupi për mbrojtjen e medias, Gazetarët pa Kufij akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe se po arreston njerëz që kanë përdorur BlackBerry për të organizuar një protestë në rrugë kundër ngritjeve të çmimit të naftës. Ky incident nxjerr në dritë faktin se si qeveritë e ndryshme gjithnjë e më shumë po përdorin Internetin dhe teknologjinë elektronike për të shtypur liritë civile.

Aktivistët e lirisë së Internetit thonë se episodi i Dubait është incidenti më i fundit i një prirjeje alarmante: shumë qeveri po censurojnë Internetin.

Robert Guerra drejton një projekt të lirisë së Internetit për organizatën Fereedom House.

Ai thotë se qeveri të ndryshme të botës shtypin lirinë e shprehjes si dhe organizimet në Internet, një prirje që ai e quan "Represion 2.0".

"Ne duhet të ndjekim çështje që lidhen me survejimin dhe prirjen e represionit 2.0, pra përdorimi i medias eletronike nga ana e qeverive për të gjetur dhe shtypur këto prirje në shoqërinë civile".

Si shembull, zoti Guerra sjell qeverinë e Tunizisë, e cila dyshohet se ndërmer sulme të sofistikuara në Internet kundër aktivistëve dhe organizatave jo-qeveritare të të drejtave të njeriut.

Por avokatja e të drejtave të njeriut, Sinthia Uong thotë se edhe shtete perëndimore e demokratike po shikojnë mundësinë e zbatimit të politikave që vënë në rrezik lirinë e Internetit.

Zonja Uong thotë se qeveritë po bëjnë thirrje për një kontroll të rrjeteve elektronike në përpjekje për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet në Internet. Ajo thotë se e-mailet anonime mund t’i takojnë së kaluarës tani që qeveritë përpiqen të merren me çështje si shpifjet në Internet.

"Objektivi i shumë prej këtyre politikave është i lavdërueshëm, por disa prej ligjeve dhe mënyrat e ndjekura nga disa vende në këtë drejtim tentojnë të minojnë lirinë e informacionit në Internet".

Aktivistë si Robert Guerra dhe Sinthia Uong përmendin vende si Koreja e Jugut, të cilat kërkojnë që qytetarët të hapin llogari Interneti me emrin e tyre të vërtetë. Zoti Guerra mendon se kjo bëhet në përgjigje të protestave nëpër rrugë të organizuara me anë të telefonëve celularë dhe publikimeve anonime.

Edhe në Shtetet e Bashkuara, FBI-ja kërkon që Kongresi të reduktojë kufirin ligjor për të hyrë në të dhënat private të përdoruesve të Internetit.

Por ata thonë se qeveritë nuk janë të vetmet përgjegjëse për vendosjen e kufizimeve ndaj lirisë në Internet. Rol luajnë edhe shërbimet, që ofrojnë Iinternet si dhe korporatat e komunikacionit.

"Gjithnjë e më shumë, ne shikojmë qeveri që u bëjnë presion bizneseve që të marrin masa, të cilat në fakt ndihmojnë survejimin dhe censurimin nga qeveritë. Mënyra se si kompanitë u përgjigjen këtyre kërkesave do të ketë një ndikim shumë të madh tek të drejtat e njeriut".

Zoti Guerra vë në dukje shitjen nga kompania NOKIA Siemens të infrastrukturës së sofistikuar të telekomunikacionit gardës Revolucionare të Iranit.

Marrëveshja përfshin edhe pajisje që u bëjnë të mundur forcave të rendit që të ndjekin thirrjet me telefonë celularë si dhe vendin nga ku bëhet telefonata.

Por Bob Boorstin i korporatës Google thotë se liria e Internetit është diçka jo e përsosur dhe njerzit nuk duhet ta shikojnë Internetin si diçka ideale.

"Përgjegjësia jonë në Google është të bëjmë çdo gjë për përhapjen në maksimum të informacionit në Internet dhe për nxitjen e lirisë së shprehjes. Unë e përdor me kujdes fjalën ‘në maksimum’ sepse liria puro e të shprehurit nuk ekziston".

Megjithatë, zoti Boorstin thotë se Google shpesh ka bërë kompromis me qeveritë në raste të veçanta, përndryshe rrezikonte të mbyllje në këtë apo atë vend.

Zonja Uong thotë se Kina po i përsos sistemet e survejimit në Internet dhe gradualisht po bën që Interneti të mos përdoret dot si formë e komunikimit të lirë civil.

Ajo thotë se shumë vende e shikojnë Kinën si modelin se si të vendosin kufizime për popullatën e tyre.

XS
SM
MD
LG