Lidhje

Analizë e gjendjes së ekonomisë amerikane, problemet dhe perspektiva


Analizë e gjendjes së ekonomisë amerikane, problemet dhe perspektiva
Analizë e gjendjes së ekonomisë amerikane, problemet dhe perspektiva

Megjithë rënien e tregut për shkak të të ardhurave zhgënjyese të korporatave, Bursa Dow Jones u mbyll me 0.5 për qind rritje të martën. Një ekonomist i Wall Street-it thotë se sinjalet e përziera pasqyrojnë një shqetësim të ekzagjeruar për ritmin e ngadaltë të rimëkëmbjes në Shtetet e Bashkuara dhe në botë.

Pesimizmi i investitorëve ishte i lartë edhe para se të hapej bursa në Amerikë. Një raport i Departamentit të Tregtisë tregonte se ndërtimi i shtëpive të reja ra në pikën më të ulët që prej tetë muajsh në qershor dhe kjo vetëm sa e rriti shqetësimin.

Por treguesit kryesorë u rritën ndjeshëm gjatë ditës. Peter Cardillo, ekonomist i lartë i firmës Avalon Partners thotë se shkaku i luhatjeve ishte pasiguria.

“Tregu po përqendrohet tek fakti që ekonomia është ngadalësuar. Pyetja që shtrohet sa është ky ngadalësim dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhurat në të ardhmen”.

Pavarësisht asaj që ai e quan frikë të ekzagjeruar të një rënieje të dyfishtë, Cardillo parashikon se ekonomia do të rritet 2.5 deri në 3 për qind për gjysmën e dytë të vitit. Përsa u takon shqetësimeve për një krizë më të thellë borxhesh në Evropë, ai thotë:

“Nuk ka dyshim që nuk bëhet fjalë për shpërbërje të Bashkimit Evropian. Nuk besoj që Euroja është në rrezik. Problemet janë afatshkurtra dhe janë ekzagjeruar tej mase nga tregu”.

Dhe megjithë shenjat se ekonomia kineze po ngadalësohet, Cardillo thotë se pjesa tjetër e ekonomisë globale është në rregull.

“Mendoj se Azia po ecën mirë, Amerika e Jugut po ashtu dhe sado që duhet e çuditshme, ka edhe pjesë të Afrikës që po e marrin veten, kështu që ekonomia globale po zhvillohet”.

Por Cardillo thotë se kjo nuk do të thotë se gjithçka po shkon mirë në frontin financiar. Ai është i shqetësuar për ndikimin që reforma e Wall Street-it do të ketë në firmat e mëdha të investimeve, kur presidenti ta nënshkruajë sot paketën duke e kthyer në ligj.

Ndërsa papunësia ka arritur në afro 10 për qind, Cardillo tërheq vëmendjen se administrata e Presidentit Obama duhet ta zbusë tonin ndaj Wall Street-it, diçka që analistët politikë thonë se nuk ka shumë mundësi të ndodhë disa muaj para zgjedhjeve të pjesshme për Kongresin.

XS
SM
MD
LG