Lidhje

Tiranë: Festohet Kurban Bajrami në Parkun Rinia


Tiranë: Festohet Kurban Bajrami në Parkun Rinia
Tiranë: Festohet Kurban Bajrami në Parkun Rinia

Mijëra besimtarë muslimanë shqiptarë festuan sot Kurban Bajramin, me falje dhe ceremoni të tjera në Parkun “Rinia” dhe shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, duke uruar njëri-tjetrin për këtë ditë të madhe të fesë së tyre. Besimtarët e të gjitha moshave, shumica të rinj, u mblodhën qysh në orët e para të mëngjesit pranë objekteve të tyre të kultit dhe sheshe e rrugë të gjera, nën në diell të ngrohtë, për të dëgjuar fjalimet e udhëheqësve të tyre fetarë.

“E lusim të madhin Zot që të na bashkojë zemrat në fenë e tij dhe të na i falë gabimet tona. - tha myftiu i Tiranës, Shaban Saliu. - Të gjithë vëllezërve dhe motrave muslimane u urojmë me plot gëzim Bajramin e madhërueshëm të Kurbanit. I lutemi të madhit Zot që, për shenjtërimin e kësaj feste të muslimanëve dhe për nderin e respektin e Profetit Muhamed, - Paqja qoftë mbi Të!, - t’i dhurojë mbarësi gjithë botës islame e mbarë njerëzisë. Veçanërisht, o i madhi Zot, për shenjtërinë e kësaj feste, bashkoji zemrat e shqiptarëve që të kalojnë më shumë ditë të lumtura e të gëzueshme në unitetin e kombit” - u lut ai.

Parku “Rinia” dhe shëtitorja “Dëshmorët e Kombit” u mbush sot si asnjëherë tjetër nga një numër shumë i madh besimtarësh, midis të cilave edhe shumë femra, që iu bashkuan ceremonive për këtë festë të veçantë. Edhe një numër i madh fëmijësh morën pjesë, po ashtu në festime.

Besimet fetare po marrin një shtrirje të gjerë vitet e fundit në Shqipëri. Në objektet e kultit të të treja feve, mblidhen çdo ditë grupe përherë e më të mëdha të rinjsh, që praktikojnë ceremonialet e posaçme në mjediset ku ata ndjekin mësimet fetare. Shqipëria e ka bërë tashmë traditë respektimin e festave fetare të secilit besim fetar, me tolerancë dhe bashkëjetesë, të vlerësuar nga të gjithë.

XS
SM
MD
LG