Duke përfituar nga një valë pakënaqësie mes votuesve rreth ekonomisë së dobët dhe shpenzimeve të mëdha qeveritare, republikanët fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e djeshme. Demokratët ruajtën shumicën me një numër më të vogël vendesh në Senatin amerikan. Edhe para zgjedhjeve të djeshme anketat e opinionit kishin parashikuar fitoren e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, por jo në Senat.
Ajo që nuk dihej ishte numri i saktë i vendeve që republikanët do të fitonin. Në Dhomën e Përfaqësuesve, ata kanë fituar 60 vende nga 39 vende, që u duheshin të siguronin shumicën në këtë institucion. Rreth 10 gara nuk janë përcaktuar ende. Mes këtyre fitoreve, vlen të përmendim fitoren në Ilinoi të kongresmenit Mark Kirk, bashkë-kryetar i grupit të çështjeve shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve të kongresit amerikan. Zoti Kirk konkuroi për vendin në senat, që mbahej nga presidenti Obama dhe si fitues e mer menjëherë detyrën pasi senatori që zëvëndësoi zotin Obama 2 vjetët e fundit po del në pension.
Në Senat, demokratët kanë ruajtur shumicën me 51 vende të fituara përkundrejt 46 vendeve të fituara nga republikanët. 3 gara nuk janë përcaktuar ende. Në Kollorado, në shtetin e Uashingtonit dhe në Alaska. Sidoqë të dale rezultati i këtyre garave, rezultati i përgjithshëm është i qartë.
Republikanët pritën me entusiazëm njoftimin e një vale fitoresh, që po transformon pejsazhin politik të Uashingtonit.
Vetëm pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit, media parashikoi fitoren e shumicës nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, por ende nuk dihet numri i saktë i vendeve të fituara.
“Mesazhi është: Ndryshoni kurs”.
Republikani nga shteti i Ohajos, Xhon Beinër pritet të zgjidhet Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe në fjalimin e tij emocional mbrëmë ai nuk la pa përmendur prejardhjen e tij. Zoti Beinër tha se shpreson që Presidenti Obama dhe partia e tij do të respektojnë vullnetin e votuesve.
“Shpresoj të shikoj qëndrime të reja që nuk janë provuar më parë në Uashington nga asnjëra parti. Dhe kjo fillon me shkurtimin e shpenzimeve dhe jo shtimin e tyre, me zvogëlimin e qeverisë dhe jo zmadhimin e saj”.
Lëvizja Tea Party, jo shumë e organizuar por me shumë zë, e cila kërkonte uljen e taksave dhe zvogëlimin e qeverisë, shërbeu si mbështetje për fitoret e republikanëve. Marco Rubio fitoi në zgjedhjet për senat në shtetin e Floridës, ndërsa Rend Pol fitoi në shtetin e Këntakit, që të dy të lidhur me lëvizjen Tea Party.
“Kemi ardhur për të rimarrë në dorë qeverinë,” tha Rend Pol.
Republikanët nuk arritën të fitonin 10 vendet e nevojshme në Senat për të marrë kontrollin, i cili u mbetet demokratëve, ndërsa udhëheqësi i shumicës, Harry Reid fitoi me një diferencë të vogël edhe një mandat tjetër 6 vjeçar në shtetin e Nevadës. Fitues të tjerë demokratë, si për shembull, Xho Mençin në shtetin e Virxhinias Perëndimore, bënë thirrje për kompromis.
“Duhet të dini një gjë. Unë do të shkoj në Uashington dhe synoj të bashkëpunoj me këdo që vë në plan të parë interesat e vendit”.
Republikani Boehner këmbënguli se, po qe nevoja, Partia Republikane do t’u përmbahet parimeve të saj, ndërkohë që analistë si Rid Uillson i revistës National Journal paralajmërojnë se republikanët nuk duhet të dehen nga besimi i tepruar.
“Nëse republikanët shkojnë në Kongres dhe thonë: ‘Ne jemi tani në krye të Dhomës së Përfaqësuesve sepse populli amerikan ka kërkuar ndryshimin e axhendës’, kjo do të ishte një lexim i gabuar i krejt situatës,” thotë zoti Wilson.
Ekspertët politikë kanë mendime të ndryshme për sa i përket mundësisë së arritjes së përparimit, veçanërisht në ekonomi, nga ana e dy degëve të qeverisë amerikane, asaj ekzekutive dhe legjislative, të cilat, duke filluar nga janari nuk do të kontrollohen më nga një parti e vetme.
Kjo ndarje e tillë e pushtetit, ku njëra parti ka shumicën në njërën dhomë të kongresit dhe tjetra ka shumicën në dhomën tjetër, nuk ka ndodhur për një kohë të gjatë, që nga vitet 1920-të. Kjo situatë është si thika me dy presa dhe në politikë kërkon një bashkëpunim të madh si dhe kompromis. Megjithë fitoren e republikanëve, të cilën ata e kanë cilësuar si përgjigje ndaj politikave të administratës Obama dhe Kongresit të deritanishëm demokrat, analistët janë të një mendimi se republikanët duhet të veprojnë për të bërë të mundur ecjen përpara të vendit, përmirësimin e ekonomisë, uljen e shkallës së papunësisë dhe të shpenzimeve qeveritare.