Lidhje

Botohet shqip në Tiranë libri “Shqipëria në tranzicion” nga Dr. Elez Biberaj


Botohet shqip në Tiranë libri “Shqipëria në tranzicion” nga Dr. Elez Biberaj
Botohet shqip në Tiranë libri “Shqipëria në tranzicion” nga Dr. Elez Biberaj

Instituti i Studimeve Ndërkombëtare publikoi sot botimin e librit të dr. Elez Biberaj “Shqipëria në tranzicion, rruga e vështirë drejt demokracisë 1990 - 2010”. Botimi i Institutit u përcoll sot nga një ceremoni e posaçme në Universitetin Europian të Tiranës ku morën pjesë diplomatë, studiues, historianë, studentë, zyrtarë të lartë, dhe politikanë.

Dr. Teuta Dobi, tha se universiteteve shqiptare u mungojnë studimet politike të thelluar shkencëriht dhe të paanshme politikisht si libri i zotit Biberaj.

“Ne e ndjejmë akoma mungesën e studimeve të paanshme dhe që i shikojnë gjërat mbi interesat e palëve. Kjo gjë mungon në akademi, në media, në politikë dhe në shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Ky libër është një mundësi më shumë për t’i parë dukuritë e tranzicionit shqiptar mbi palët, mbi interesat e vogla dhe të ngushta të implikuar politikisht, mbi akademizmin e shtirur dhe esencialist të trashëguar nga komunizmi, por me një këndvështrim liberal dhe analizim profesional të ngjarjeve, siç ka punuar dr. Elez Biberaj” - tha ajo.

Profesori i njohur shqiptaro-amerikan Nikolla Pano tha se libri i dr. Biberaj zë një vend me rëndësi në studimet ndërkombëtare mbi çështjet shqiptare dhe rajonale. “Ky libër përmban një analizë shumë të thellë. Na ka dhënë një portret të vërtetë të shqipërisë se si kanë rrjedhur ngjarjet vërtet nga 1990 deri në 2010” - tha ai.

Autori i librit, Elez Biberaj tha se e shkroi librin fillimisht për të plotësuar boshllëkun e madh të informacionit që ekzistonte në SHBA për Shqipërinë. Synimi kryesor ishte që libri të lexohej nga publiku amerikan dhe ligjvënësit e tij. Ai tha se Shqipëria ka shumë sfida përpara, se shqiptarët kurrë nuk kanë qenë në pozita më të mira se sot, dhe se ata janë ndër faktorët më të rëndësishëm në Ballkan.

“Ajo që më shqetëson është ndjesia se ritmi i përgjithshëm i demokratizimit duket se është ngadalësuar. Demokracia, vlerat demokratike, sipas mendimit tim, ende nuk kanë hedhur rrënjë të thella në radhët e elitave politike partiake, institucioneve, por as tek radhët e popullsisë në përgjithësi. Mendoj se ka nevojë për një hapësirë më të madhe demokratike në të gjitha fushat” - tha ai.

Libri i zotit Biberaj u prit me interesim nga studiuesit dhe diplomatët, edhe për faktin se përfshin ngjarjet shqiptare nga fillimet e demokracisë 1990-92 deri në vitin 2010. Për shumë vjet drejtues i “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe, aktualisht drejtor i divizionit të Euroazisë në VOA, dr. Biberaj është autor i shumë studimeve për Ballkanin dhe Shqipërinë, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në bibliotekën e studimeve politike shqiptare.

XS
SM
MD
LG