Lidhje

BE i kërkon Shqipërisë të forcojë sistemin bankar


BE i kërkon Shqipërisë të forcojë sistemin bankar
BE i kërkon Shqipërisë të forcojë sistemin bankar

Zyrtarë të Bashkimit Europian i kujtuan sot Shqipërisë se krahas temave me natyrë politike, duhet të përmbushë kritere ekonomike që lidhen me shërbimet bankare. Kryetari i delagacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Etore Sequi, tha sot se pa qëndrueshmëri financiare Shqipëria e ka të vështirë rrugën e integrimit europian. Ai i bëri këto komente në një konferencë ndërkombëtare të organizuar nga Banka Qendrore mbi kulturën bankare të popullatës.

“Shqipëria - tha ambasadori Sequi - ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian. Përmirësimi i standarteve në shërbimet bankare është një nga kërkesat e këtij anëtarësimi. Objektivat kryesore janë të sigurohet qëndrueshmëri financiare në shkallë kombëtare, të dëgjohet zëri i investitorëve në sektorin financiar, të plotësohen nevojat e konsumatorëve të thjeshtë sipas kritereve bashkëohore”.

Ambasadori Sequi tha se “në opinionin e vitit 2010 të BE-së mbi aplikimin e shqipërisë për anëtarësim, legjislacioni shqiptar në fushën bankare u vlerësua se është pjesërisht në harmoni me standartet europiane, ndonëse krijon një bazë të fortë për të ardhmen”. Sipas tij, forcimi i kontrollit mbi çrregullimet fiskale dhe mikroekonomike mbetet detyrë thelbësore për Shqipërinë. Ai shtoi se zbatimi i rregullave fiskale, reduktimi i borxhit publik dhe kryerja e reformave strukturore janë shtyllat themelore për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm që do të nxitin rritjen dhe do të shtojnë mirëqenien e brendshme. Po ashtu duhet të rritet kontrolli edhe mbi sektorin financiar jobankar.

“Nevojitet një mbikëqyrje më e fortë mbi tregjet, për të ndjekur rregulla të barabarta për të gjithë dhe për t’i fuqizuar dhe rritur ato që të përballojnë sfidat e ardhshme” - tha ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sequi.

Ndërsa ministri i financave, Ridvan Bode, u bëri thirrje bankierëve të pranishëm që të flasin hapur me klientët, sepse “gjendja e sistemit bankar nuk është as sekret dhe as tabu”. Ai tha se “transparenca është mjeti më i mirë për të tejkaluar krizat dhe problemet si të bankave ashtu edhe të ekonomisë në tërësi”. Zoti Bode foli me shqetësim për disa manipulime me dashje mbi tregjet financiare. Ai tha se edhe këto keqinformime mund të zhduken me sa më shumë informacion të vërtetë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha në konferencë se “reagimet e popullatës ndaj bankave janë spontane, dhe shumë njerëz nxjerrin mësime vetëm pasi humbasin në biznese”. Këtu luajnë rol edhe mendësi të vjetra edhe paaftësia për të kuptuar informacionin e gjerë ekonomik dhe financiar që publikohet.

Shqipëria ka një sistem bankar relativisht të zhvilluar, megjithatë bankat ende nuk guxojnë të kreditojnë në sektorin bujqësor ku jeton gjysma e popullatës. Në qytete normat e interesit bankar janë të larta dhe shumë qytetarë hyjnë në bashkëpunim me to pa një informacion të plotë dhe bindës. Të dhënat e fundit thonë se kreditë e këqija janë rritur krahas rritjes së kreditimit.

Megjithatë të gjitha palët kanë kërkuar që bankat të investojnë dhe të mbështesin më fort investimet në ekonomi, sepse kanë rezerva të konsiderueshme në të holla, por ngurrojnë të veprojnë për shkak të sigurive dhe të krizës. Bashkimi Europian ka financuar një milionë euro një projekt për shtimin e informacionit bankar në Shqipëri, pjesë e investimeve që qytetarët të kenë më shumë kulturë ekonomike dhe të mos bien viktima të dështimeve ekonomike.

XS
SM
MD
LG