Lidhje

BE: Projekt i ri për forcimin e drejtësisë në Shqipëri


BE: Projekt i ri për forcimin e drejtësisë në Shqipëri
BE: Projekt i ri për forcimin e drejtësisë në Shqipëri

BE nisi sot projektin e ri prej 2,3 milionë euro për “Konsolidimin e Sistemit Gjyqësor në Shqipëri”. Përfaqësues të BE në ceremoninë e sotme deklaruan se projekti “Euralius 3” vazhdon mbështetjen për reformën e gjyqësorit shqiptar për forcimin e sundimit të ligjit. Projekti "Konsolidimi i Sistemit Gjyqësor në Shqipëri” do të punojë së bashku me institucionet shqiptare për një system gjyqësor të pavarur, të paanshëm, profesional, transparent dhe modern, duke ndihmuar në rikthimin e besimit të qytetarëve dhe në konsolidimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend.

“Konsolidimi i shtetit ligjor dhe reforma në sistemin e drejtësisë janë pika kyçe për objektivat e stabilizim-asociimit dhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ashtu sikurse e përcakton edhe raporti i Komisionit Europian” - tha kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj.

Projekti parashikon bashkëpunimin e gjyqtarëve vendas me 5 ekspertë nga BE, për riorganizimin e drejtësisë, modernizimin e gjykatave dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore nga përmbarimi. Folësit theksuan se reforma në drejtësi ka nevojë për konsensusin e gjerë politik mes partive politike, madje thanë se ky është kusht i domosdoshëm për sukses. Ata kërkuan që partitë të heqin dorë nga presionet mbi gjykatat.

“Shumë nga projektet e punuara nga ministria e drejtësisë për të përmirësuar funksionimin e shumë institucioneve të drejtësisë nuk po kalojnë dot për miratim në Kuvendin e Shqipërisë për shkak të nevojës së 3/5 të votave në parlament. Kjo ka ardhur për shkak të krizës së tejzgjatur dhe mungesës së opozitës në parlament. Kjo ka sjellë pengesa në hapat e mëtejshëm të reformës në drejtësi” - tha nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshik Spahiu.

Komisioni Europian theksoi në Opinionin dhe Raportin Analitik për Shqipërinë rëndësinë e sundimit të ligjit dhe reformës së gjyqësorit për anëtarësimin e Shqipërisë. BE deklaroi se vlerësimi i Shqipërisë në të ardhmen do të përqendrohet te 12 detyrat kyçe të paraqitura nga Komisioni, të cilat përfshijnë sundimin e ligjit dhe reformën e gjyqësorit.

XS
SM
MD
LG