Lidhje

Nevoja e bashkëpunimit BE-SHBA për përparimin në Ballkan


Nevoja e bashkëpunimit BE-SHBA për përparimin në Ballkan
Nevoja e bashkëpunimit BE-SHBA për përparimin në Ballkan

Zgjerimi i Bashkimit Evropian, është instrumenti më i rëndësishëm që perëndimi ka përdorur deri sot për t’i nxitur vendet që synojnë të anëtarësohen në BE të kryejnë reforma thelbësore në shoqëritë e tyre. Dhe ndërsa vendet përparojnë me shpejtësi të ndryshme drejt aspirtatave të tyre, vitet e fundit, eshte vënë re edhe një lloj lodhje e BE nga zgjerimi.

Tom Kantrimen, zëvendës ndihmës Sekretar i Shtetit për Evropën, e cilëson perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian si instrumentin më të fuqishëm për përparim në Ballkan, megjithëse e pranon se vendet e këtij rajoni nuk do ta kenë aq të thjeshtë sa vendet e Evropës Qendrore që janë bërë tashmë anëtare.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin qartazi këtë prirje të Bashkimit Evropian për të gjithë rajonin, jo vetëm si diçka që do ta bëjë Bashkimin Evropian më të fortë dhe rajonin më të qëndrueshëm, por që do të kontribuojë në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të secilit vend”.

Por zoti Kantrimen tha se për përparimin e këtyre vendeve është shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe Uashingtoni të hartojnë politika që t’i ndihmojnë këto vende që të realizojnë potencialin e tyre. Ai tha se këto vende kanë ende shumë për të bërë për të gjetur një politikë të qendrës. Ai përmendi korrupsionin dhe shtetin ligjor si dy nga sfidat kryesore.

Publicisti Veton Surroi, Kryetari i Bordit të Klubit për Politikën e Jashtme në Prishtinë, tha se për vende si Kosova që kanë kaluar 20 vjet në tranzicion nuk ka kohë që të shpenzojnë edhe 20 të tjera për t’u përgatitur për anëtarësimin në BE. Kjo tha ai është e vështirë për vende që kanë kaluar përmes një periudhe të gjatë konflikti të ngrirë si Bosnja dhe Kosova.

“Problemi është se pa një perspektivë të qartë kohore këto shoqëri nuk mund të ndryshojnë sepse ne jetojmë në mes të një inercie kulturore. Pa një perspektivë kohore, shoqëria ngecet dhe lëvizja është shumë e ngadaltë”.

Disa nga reagimet evropiane në sallë ndaj perspektivës së tij vunë në pah edhe mospërputhjen mes vlerës së padiskutueshme të zgjerimit si stimul dhe realitetit të BE-së, ku vala e fundit e zgjerimit që shkaktoi shumë debate, e ka stepur prirjen për zgjerim nga ana e evropianëve.

Pesë nga vendet e BE-së nuk e kanë njohur Kosovën. Mendimi amerikan, i shprehur si nga zyrtarët ashtu edhe ekspertët, ishte se një qëndrim io tillë e dobëson fuqinë e BE-së në Kosovë, në një kohë që BE-ja duhet të ketë atje rolin kryesor, si edhe nuk lejon shtrirjen efektive të autoritetit të EULEX-it në veri të vendit. Zoti Kantrimen e bëri të qartë se me bisedimet e pritshme Beograd-Prishtinë, nga pikëpamja amerikane vetëm diçka është e panegociueshme: sovraniteti dhe tërësia e Kosovës.

Stiven Larrabi i Korporatës Rand, tha se Ballkani mbetet i përfshirë ng një numër prirjesh negative si nacionalizmi i egër, niveli i lartë i krimit, korrupsioni, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe institucionet e dobëta politike, të cilat, tha ai, kërcënojnë stabilitetin politik dhe integrimin në Bashkimin Evropian.

“Nëse përpjekjet për zgjidhjen e këtyre problemeve nuk janë më sistematike dhe të koordinuara, potenciali për dhunë dhe mungesë qëndrueshmërie në rajon ka shanse të rritet”.

Zoti Larrabi, hartuesi i raportit për Ballkanin, të Institutit për Studimet e Sigurisë të BE-së, një organizatë studimore e pavarur me qendër në Paris, thotë se është thelbësore që si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Evropa të konsolidojnë përpjekjet për t’i dhënë fund mungesës së qëndrueshmërisë në Ballkan një herë e përgjithmonë. Ai sugjeroi që Shtetet e Bashkuara të krijojnë postin e një të dërguari të posaçëm për Ballkanin.

Edhe Drejtorja e Lartë për Çështjet Evropiane në personelin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Elizabeth Sherwood-Randall tha se Ballkani ishte një nga fushat ku Uashingtoni do të shohë më shumë bashkëpunim me BE-në.

“Në Ballkan për shembull, ne duam të punojmë me Bashkimin Evropian për të bërë më shumë për t’u dhënë fund armiqësive të vjetra dhe për të garantuar stabilitet të qëndrueshëm për të çuar në fund punën që filluam në vitet 1990 duke ndihmuar shtetet atje që të zhvillojnë qeveri efektive dhe të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin”.

Forumi dyditor i Uashingtonit u përqendrua në të gjitha fushat e bashkëpunimit mes dy anëve të oqeanit. Përveç Ballkanit këto fusha bashkëpunimi përfshijnë ekonominë, përpjekjet kundër terrorizmit, çështjet globale si ngrohja globale, qeverisja globale, diplomacia në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet në kuadrin e NATO-s.

XS
SM
MD
LG