Lidhje

Filips: Eulex-i ka nevojë të reformohet ose udhëheqja e tij të zëvendësohet


Filips: Eulex-i ka nevojë të reformohet ose udhëheqja e tij të zëvendësohet
Filips: Eulex-i ka nevojë të reformohet ose udhëheqja e tij të zëvendësohet

Analisti politik David Phillips thotë se Eulexi është treguar i paaftë në luftën kundër korrupsionit në Kosovë. Në një studim të përgatitur kohët e fundit në emër të organizatës Këshilli Kombëtar për Politikën e Jashtëme Amerikane, zoti Phillips rekomandon që Euleksi të reformohet. Por ai thotë gjithashtu se barra kryesore për të luftuar korrupsionin bie mbi qeverinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Kosova është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vendet më të mëdha të botës. Në studimin tuaj ju thoni se njohja e Kosovës në kufijtë e tanishëm është me rëndësi të dorës së parë. Çfarë duhet të bëjë ajo për t’u njohur më shumë?

David Phillips: Kosova është tani tani vend i pavarur, është njohur nga 69 shtete. Por për të patur njohje të tjera, shqiptarët e Kosovës duhet të bëjnë më shumë. Duhet të tregojnë se janë një shtet funksional, me qeverisje të mirë, ku nuk ka korrupsion dhe që lufton krimin. Të gjithë janë të interesuar të shikojnë që Kosova të zerë vendin që i takon në tryezë, në familjen e kombeve.

Zëri i Amerikës: Shumë njerëz presin opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të parë nëse do të ketë njohje të reja. Çfarë mund të presim pas atij opinioni?

David Phillips: Vetë përfundimi i këtij procesi është i rëndësishëm. Nuk kemi të bëjmë me gjetje faktesh apo me një vendim të detyrueshëm për t’u zbatuar. Kemi të bëjmë me një opinion të gjykatës. Pasi kjo të jetë bërë, vendet që janë në pritje mund të lëvizin dhe të marrin një vendim. Këtu desha të shtoja diçka lidhur me Mitrovicën veriore. Do të ishte gabim nëqoftëse Bashkimi Evropian i jep Serbisë anëtarësimin përpara se Kosova të ketë siguruar përfundimisht tërësinë e saj, pra ku Mitrovica e Veriut të jetë nën kontrollin e autoriteteve legjitime të Kosovës. Kemi mësuar nga Qiproja se nëse dëshiron të inkurajosh ribashkimin, atëhere duhet të shfrytëzosh perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian si një mënyrë për të bindur aktorët politikë të ndërmarrin hapat e duhura. Pra duhet vepruar me shumë kujdes lidhur me anëtarësimin e Serbisë dhe në këtë aspekt duhen vendosur standarde konkrete për politikën e tyre ndaj Kosovës.

Zëri i Amerikës: Anëtarësimit në Bashkimin Evropian sigurisht i përket një të ardhmeje jo shumë të afërt. Megjithatë, a shikoni ju se një gjë e tillë mund të ndodhë, pra që Serbia të mund të anëtarësohet edhe në këto kushte?

David Phillips: Ka shumë rëndësi që Beogradi ta dijë me saktësi se çfarë i kërkohet. Sepse kur ka mungesë qartësie lindin probleme diplomatike. Dhe për t’i bërë gjërat të qarta, është e nevojshme që Bashkimi Evropian apo Komisioni Evropian të vendosë kritere specifike. Kështu Beogradi do ta dijë se ç’duhet të bëjë që të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare të cilat duhet të përmbushë çdo vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: Në raportin tuaj për organizatën Komiteti Kombëtar mbi Politikën e Jashtëme Amerikane, ju rekomandoni reformimin e Eulex-it, ju e kritikoni atë madje sugjeroni edhe shkarkimin e shefit të Eulex-it, Iv dë Kermabon. Në cilat aspekte duhet të bëjë më shumë Eulex-i?

David Phillips: Eulex-i ka një mandat shumë të qartë antikorrupsion. Natyrisht që qeveria e Kosovës duhet të ketë këtu rolin kryesor sepse është përgjegjësi e udhëheqësve politikë të Kosovës të jenë në vijën e parë kur është fjala për luftën kundër korrupsionit por nëse ata nuk e bëjnë këtë, atëhere i takon Eulex-it të plotësojë boshllëkun. Dhe deri tani Eulex-i është treguar i paaftë, roli i tij udhëheqës ka qenë joekzistent. Prandaj ose Eulex-i duhet të reformohet ose udhëheqja e tij duhet të zëvendësohet. Lajmi i mirë është se në javët e fundit duket se Eulex-i e ka marrë mesazhin qoftë nga raporti im apo nga kritikat e të tjerëve, duke marrë masa ndaj ministrisë së transporteve. Por ka edhe shumë gjëra të tjera që Euleksi mund të bëjë, duke punuar në partneritet me qeverinë e Kosovës për të eliminuar korrupsionin.

Zëri i Amerikës: Dhe të paktën perceptimi është se korrupsioni në Kosovë arrin në nivelet më të larta të qeverisjes, pra nuk është i lehtë të luftohet.

David Phillips: Qeveria është e nevojshme të kuptojë se në shërbim të popullit të saj, duhet të ushtrojë një qeverisje më të mirë. Pra duhet t’i identifikojë praktikat e korruptuara dhe t’i luftojë ato. Njerëzit që janë të aftërt me qeverinë të cilët janë në pozita të larta juridike dhe që merren me antikorrupsionin duhet të zëvendësohen. Procesi i privatizimit duhet të kontrollohet nga afër. Nëse qeveria dëshiron të arrijë objektinvin e saj që është begatia e vendit dhe njohje më të shumta ndërkombëtare, ajo duhet të marrë rolin kryesor në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni në Kosovë është i përhapur, edhe në nivelin lokal. Por udhëheqësit politikë duhet të japin shembullin.

XS
SM
MD
LG