Lidhje

Shqipëri, opozita kërkon shkarkimin e kryetares së Parlamentit


Shqipëri, opozita kërkon shkarkimin e kryetares së Parlamentit
Shqipëri, opozita kërkon shkarkimin e kryetares së Parlamentit

Opozita socialiste bëri sot të ditur se do të paraqesë një mocion mosbesimi ndaj kryetares së parlamentit, Jozefina Topalli, pas kritikave të Komisionit Europian ndaj mënyrës se si ajo drejton institucionin më të lartë ligjvënës të shtetit shqiptar. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se është detyrë e opozitës të paraqesë mocionin kundër kryetares së parlamentit Topalli, sidomos tani kur Komisioni Europian e ka evidentuar personalisht si shkaktare të parregullsive në jetën politike të vendit.

“Komisioni Europian ka plotësisht të drejtë kur e tregon me gisht Jozefinën në Opinionin negativ për Shqipërinë si një shpërdoruese e detyrës së kryetares së Kuvendit të Shqipërisë. Kjo për ne do të thotë se ne do ta çojmë përpara, siç e kishim paralajmëruar, nismën për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, pavarësisht numrave që, sot për sot, e bëjnë të pamundur një gjë të tillë aritmetikisht” - tha zoti Rama.

Zoti Rama tha se kjo nismë është një përpjekje demokratike e opozitës parlamentare për të kthyer jetën e parlamentit në normalitetin e cënuar nga sjelljet e kryetares Topalli. Ndërkaq kryetari i PS tha se marrëdhëniet e opozitës me parlamentin do të vazhdojnë të mbeten të kushtëzuara, megjithë pjesëmarrjen e deputetëve të saj në komisione dhe seanca plenare.

“Marrëdhënia jonë me parlamentin mbetet plotësisht e kushtëzuar. Prania jonë në parlament nuk vihet në dyshim. Përpjekjet tona për të futur parlamentin dhe vendin në rrugën e duhur nuk do të shterrin. Ashtu sikundër nuk shterr as durimi, as forca dhe as fuqia e bashkimit tonë për të kërkuar transparencën, që po e kërkojmë prej një viti e gjysëm, për të luftuar me keqqeverisjen dhe me korrupsionin, siç luftojmë veçanërisht këtë një vit e gjysmë pasi zgjedhjet u vodhën për të vjedhur Shqipërinë” - tha zoti Rama.

Ky vit i ri politik do të jetë për opozitën socialiste koha e një serie sfidash të mbetura hapur nga viti i kaluar. Sipas kryetarit të socialistëve Rama, opozita nuk do të mungojë në parlament, nuk do të bojkotojë zgjedhjet vendore, por nuk do të lejojë që ato të zhvillohen përmes shkeljesh ligjore, do të vazhdojë protestat dhe do të kërkojë me këmbëngulje transparencën e zgjedhjeve të qershorit 2009. Ai tha se sfida e opozitës është që të rrëzojë sa më parë qeverinë e kryeministrit Berisha përmes zgjedhjeve të parakohshme, ndërkohë që do të vazhdojë të denoncojë afera korruptive të zyrtarëve të saj.

XS
SM
MD
LG