Lidhje

BE: Shqipëria nuk përmbush kushtet për statusin e vendit kandidat


BE: Shqipëria nuk përmbush kushtet për statusin e vendit kandidat
BE: Shqipëria nuk përmbush kushtet për statusin e vendit kandidat

Komisioni europian njoftoi sot se Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat. Vendimi është bërë sot i ditur në Bruksel dhe ai shoqërohet nga një analizë e detajuar e zhvillimeve në të gjitha fushat në Shqipëri. Vendimi vjen një ditë pasi dje bashkimi europian miratoi heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë dhe ata boshnjakë.

Komisioni Europian ka përpiluar një dokument voluminoz prej 120 faqesh ne të cilin ai analizon në mënyrë të detajuar të gjitha zhvillimet në Shqipëri dhe përputhshmërinë me kriteret e Kopenhagenit. Ndër to siç edhe është paralajmëruar disa herë, të një rëndësie të veçantë janë kriteret politike, ku duket se në pjesën më të madhe të tyre Shqipëria ka ngelur në klasë.

”Efikasiteti dhe qëndrueshmëria e institucioneve demokratike nuk është përmbushur në mënyrë të kënaqshme. Institucionet dhe procedurat parlamentare nuk funksionojnë si duhet” vëren komisioni sipas të cilit “Parlamenti nuk ushtron mbikqyrje efektive dhe kontroll mbi qeverinë. Dialogu politik është konfrontues dhe jo konstruktiv, jo vetëm për shkak të ngërcit politik që zgjat që prej zgjedhjeve të 2009”. Qeveria dhe opozita ndajnë përgjegjësinë për arritjen, përmes një rruge transparente dhe në respekt të kushtetutës, zgjidhjet e duhura për ecjen e vendit drejt integrimit europian, cilëson Komisioni. Situata aktuale politike sipas komisionit rrezikon polarizimin e thellë dhe të tejzgjatur me pasoja serioze përsa i përket aftësisë së klasës politike për arritjen e kompromisit dhe gjetjen e konsensusit për reformat kyce.

Lidhur me zgjedhjet, raporti i përmbahet vlerësimit të OSBE/ODIHR si dhe rekomandimeve të bëra prej tyre, për të cilat raporti konstaton se “nuk janë përkthyer ende në një reformë të kënaqshme elektorale, e nevojshme për zgjedhjet e ardhshme”, administrative që do të mbahen në 8 maj 2011.

Një vërejtje që përsëritet prej vitesh lidhet me administratën publike ku flitet për një “shërbim civil shumë të politizuar, emërime në mungesë të transparencës dhe ndryshime të shpeshta stafesh”. Raporti vërën me shqetësim situatën në drejtëisë, funksionimin efikasitetin dhe pavarësinë e gjyqësorit. “Mos respektimi nga ana e qeverisë i vendimeve të Gjykatës Kushtetues dhe votimi politik i kandidaturave të Presidentit të Repubblikës për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, përbëjnë shqetësim pasi ato sfidojne parimet themelore si pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i shtetit të së drejtës”, shkruhet në analizën e Komisionit.

Gjyqësori megjithatë konsiderohet si ndër sektoprët më të prekur nga korrupsioni gjë e cila sipas Komisionit Europian vë në pikëpyetje pavarësinë e gjykatësve. Gjykimi i rasteve me profil të lartë për akuzat për korrupsion, janë të rralla si edhe kur hetohen, në pjesën më të madhe, ata nuk ndëshkohen. Ka patur raste kur hetimet kanë përfunduar por procesi është shtyrë për motive proceduriale dhe në fund është pezulluar për shkak të imunitetit të të akuzuarit, gjë e cila kontribuon në perceptimin e përgjithshëm se figurat e niveleve të larta nuk ndëshkohen për shkak të pushtetit të tyre politik dhe ekonomik, shkruhet në opinionin e Komisionit.

Për korrupsionin vlerësohet se megjithe hapat e bërë në kuadrin ligjor për luftën ndaj këtij fenomeni ai "është i pranishëm në shumë fusha dhe është një problem vecanërisht serioz", një vlerësim i njejtë me atë të një viti më parë. Kërkohet që të dëshmohet efikasitetit i strategjisë antikorrupsion dhe i planit të veprimit që të pasohet dhe me dënime në të gjitha nivelet ku konstatohet korrupsioni. Në luftën kundër krimit të organizuar njihen hapat dhe përparimi i bërë si dhe vlerësohet i përshtatshëm kuadri ligjor dhe institucional të cilët megjithatë sipas komisionit “mbeten për t’u provuar në praktikë”, ndërsa “hetimet e sukseshme duhet të pasohen edhe nga ndëshkime” nënvizon Komisioni europian.

Ekonomia duket se është sektori që ka marrë edhe vlerësimin më të mirë ku vihet në dukje fakti se vendi ka ruajtur rritjen pozitive pavarësisht krizës financiare globale. Megjithatë ashtu si dhe Fondi Monetar ndërkombëtar ngrihet “shqetësimi për nivelin e lartë të borxhit publik, dobësitë e shtetit të së drejtës që dëmtojnë klimën e biznesit, dhe për problemet që lidhen me titujt e pronësisë”.

XS
SM
MD
LG